Sa janë të pasur deputetët: Kush dhe me çka e përfundoi mandatin?

dibraime2 April 7, 2014 0
Sa janë të pasur deputetët: Kush dhe me çka e përfundoi mandatin?

Shkup – Deputetë që nuk kanë llogari bankare, deputetë që posedojnë vetëm automobila, kanë shtëpi të prindërve të tyre. Nga thjeshtësia – në klasë të lartë. Laramani në fletat anketuese për gjendjen pronësore të deputetëve aktualë. “PORTALB”-i sublimon se me çfarë prone një pjesë prej tyre e përfundojnë mandatin në përbërjen aktuale të Kuvendit.

Аli Ahmeti, deputet, kryetari i BDI-së
Dy shtëpi, tokë, një veturë modeste dhe llogari për transaksione me rreth 2.000 euro. Kjo është paraqitur në fletën anketuese të liderit të BDI-së dhe deputetit të deritanishëm Ali Ahmeti. Në fletën anketuese është regjistruar vetëm prona e tij personale. Njëra shtëpi, për të cilën nuk ka të dhëna se ku gjendet, është vlerësuar në 150.000 euro, ndërsa tjetra me sipërfaqe prej 254 m2 gjendet në Kërçovë dhe është vlerësuar në 100.000 euro. Ahmeti ka paraqitur se posedon 700 m2 tokë bujqësore në Shqipëri me vlerë prej 30.000 eurosh dhe tokë bujqësore në Kërçovë me vlerë prej 153 mijë eurosh. Sipas fletës anketuese, Ahmeti vozit veturë Opel Astra të vitit 1998, me vlerë prej 3.500 eurosh. Në fletën anketuese të Ahmetit nuk theksohet se si është fituar kjo pronë.

Xhevat Ademi, deputet i BDI-së
Banesë, shtëpi, tokë dhe stoli në vlerë prej 16.200 eurosh. Në fletën anketuese të Ademit, si pronë të tij personale ka paraqitur shtëpi në Tetovë prej rreth 106 mijë eurosh, banesë në Tetovë prej 115 metrash katrorë me vlerë të paraqitur prej 73 mijë eurosh, tokë, poashtu në Tetovë me vlerë prej 8.000 uerosh. Shtëpinë dhe tokën, Ademi i ka trashëgurar, së bashku edhe me një tokë bujqësore, poashtu në Tetovë. Ademi vozitet me veturë të tipit Audi А6, ndërsa në fletën pronësore figuron edhe një veturë në emër të fëmijëve të tij. Si borxhe, Ademi ka paraqitur rreth 5.000 euro. Si pronë të përbashkët ka paraqitur stoli në vlerë prej 16 mijë eurosh. Në fletën e tij anketuese nuk ka llogari bankare.

Bexhihudin Shehapi, deputet i BDI-së
Gjykuar sipas të dhënave që janë në dispozicion nga fleta e tij anketuese, deputeti Shehabi nuk ka as pronë të tundshme as pronë të patundshme. Ka paraqitur vetëm dy gjëra, shtëpinë e prindërve të tij në Tetovë me vlerë prej rreth 200 mijë eurosh dhe si pronë të tij personale – librezë kursimi në denarë me 25 mijë denarë.

Menduh Thaçi, deputet, kryetar i PDSH-së
Shtëpi me oborr dhe pemishte si trashëgimi. Vozitet me automobil të tipti BMW me vlerë prej 50.000 eurosh. Kjo është vetëm një pjesë e asaj që e ka paraqitur Thaçi në fletën e tij anketuese. Për shtëpinë që e ka trashëguar në Tetovë, me sipërfaqe prej 1.186 m2 nuk ka paraqitur vlerë. Si pronë personale, deputeti i deritanishëm posedon shtëpia me hapësirë afariste dhe oborr në Tetovë me vlerë të paraqitur prej 75 mijë eurosh. Në emrin e tij ka llogari devizore me 60.700 euro dhe llogarinë për transaksione me 26.000 euro. Lideri i PDSH-së ka paraqitur edhe pronë të bashkëshortes: veturë prej 7.000 eurosh, hua të dhënë prej 22.300 eurosh dhe librezë kursimi në denarë me rreth 50 mijë euro.

Orhan Ibraimi, deputet i PDSH-së
Deputeti Ibraimi në emrin e tij ka paraqitur vetëm një shtëpi në Kumanovë me vlerë prej 32.500 eurosh. Sipas të dhënave nga fleta anketuese, ky deputet opozitar ka paraqitur pesë parcela me tokë si “pronë e përbashkët”. Ibraimi ka paraqitur edhe një veturë të tipit Mercedes, me vlerë prej rreth 5.000 eurosh. Sipas fletës anketuese, deputeti nuk disponon me llogari bankare.

Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së
Fletë modeste e pronësisë, ndërsa sipas të dhënave që janë në dispozicion, ky deputet nuk ka as llogari bankare, ndërsa si pronë personale ka vetëm një veturë të tipit Audi A4 me vlerë prej 5.000 eurosh. Sipas fletës pronësore, Fazliu ka paraqitur pronë të përbashkët, shtëpi në Kondovë prej 140 metrash katrorë me vlerë prej 70.000 eurosh, që e ka trashëguar, dhe tokë bujqësorе me vlerë të paraqitur prej 50.000 eurosh, si pronë e prindërve.

Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së
Mehmeti ka veturë personale, dy kartela bankare dhe kredi në emrin e saj. Sipas të dhënave që janë në dispozicion nga fleta e saj anketuese, kjo deputete nga radhët e BDI-së që është në pushtet, e ka paraqitur banesën e bashkëshortit, me sipërfaqe prej 70 metrash katrorë në vlerë prej 58.400 eurosh. Mehmeti ka veturë të tipit Tojota Auris, ndërsa ka edhe dy kartela bankare ku ka 1.000 dollarë amerikanë dhe rrogën mujore. Deputetja duhet të kthejë kredi prej 15.190 eurosh me afat prej shtatë vjetësh.

Vlladimir Gjorçev, deputet i VMRO-DPMNE-së
Deputeti nga radhët e partisë në pushtet, Gjorçev, vlen si një nga më të pasurit, me fletë më më të madhe anketuese. Kështu, sipas të dhënave që janë në dispozicion nga Komisioni për parandalimin e korrupsionit, Gjorçevi posedon banesë, shtëpi, llogari devizore dhe në denarë. Sipas fletës anketuese, Gjoreçvi ka banesë në Shkup prej 105 metrash katrorë me vlerë prej 110 mijë eurosh, e cila, siç shkruan, është trashëguar. Në emrin e tij Gjorçevi ka paraqitur edhe shtëpi me bodrum me vlerë prej 138 mijë eurosh. Sipas asaj që është shënuar në fletën anketuese, kjo pronë është shënuar si “Përfitim me anë të marrëveshjes për shitblerje”. Gjorçevi vozit automobil Fiat Punto Grande, ndërsa si pronë të përbashkët ka paraqitur edhe një automobil. Ka paraqitur edhe llogari devizore në dy banka dhe kredi prej 300 mijë denarësh. Në fletën anketuese të Gjorçevit është paraqitur edhe prona e gruas së tij, e cila posedon llogari në denarë, në deviza dhe transaksionale, si dhe sigurim jetëros për fëmijët e tij në vlerë prej 300 eurosh në nivel vjetor, e që është paraqitur si “Përfitim me anë të marrëveshjes për dhuratë”.

Silvana Boneva, deputete e VMRO-DPMNE-së
Sipas asaj që deputetja Boneva e ka paraqitur në fletën anketuese, në emrin e saj ka vetëm një veturë të tipit Opel Astra të vitit 2009 dhe librezë kursimesh në denarë me rreth 1.200 euro. Çdo gjë tjetër që është shënuar në fletën anketuese është në emër të prindërve të saj ose bashkëshortit. Kështu, si pronë e prindërve ka paraqitur shtëpi prej 82 metrash katrorë në Strumicë dhe hapësirë afariste prej 12 metrash katrorë, poashtu në Strumicë. Bashkëshorti i saj posedon librezë kursimesh në denarë dhe në deviza dhe kartelë për pagesë. Pikërisht gjendja pronësore e Bonevës ishte cak i sulmeve të opozitës e cila me dokumente thonte se dy djemtë e Bonevës në të njëjtën kanë blerë dy banesa në Shkup, në vlerë të përgjithshme prej rreth 360 mijë eurove, të cilat aspak nuk kanë qenë të paraqitura në fletën pronësore të koordinatores së deritanishme të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Njeriu u parë i Komisionit për antikorrupsion paralajmëroi se komisioni ka hapur lëndë për banesat e deputetes.
“Kontrollojmë se personat që janë futur në fletën anketuese a jetojnë në bashkësi familjare dhe kontrollojmë se me çfarë patundshmërishë disponojnë ata. Iu drejtuam Agjencisë për kadastër të patundshmërive, e cila duhet të na japër përgjigje dhe pastaj i krahasojmë me të dhënat që i kemi në fletën anketuese. Në qoftë se konstatojmë se ato nuk janë të njëjta, ngrejmë padi kundërvajtëse dhe kërkesë për shqyrtimin e gjendjes pronësore në DHP” – deklaroi për Portalb, kryetari i Komisionit Gjorgji Sllamkov.

Radmilla Sheqerinska, deputete e LSDM-së
Deputetja nga radhët e LSDM-së, e cila sipas asaj që e ka paraqitur, konsiderohte ndër më të pasurat. Sheqerinska, si pronë në emrin e saj personal ka paraqitur: banesë në Shkup prej 50 metrash katrorë me vlerë të paraqitur prej 45.000 eurosh, fotografi artistike të trashëguar, hua të dhënë në vlerë prej 10.000 еurosh, të ardhura nga banesa e dhënë me qira në vlerë prej 15.000 denarë. Sheqerinska ka paraqitur shtatë llogari bankare, prej të cilave njëra është librezë kursimi me 19.000 euro. Sipas të dhënave, deputetja ka kredi prej 620.000 denarësh. Në fletën anketuese të deputetes si pronë në emrin e burrit të saj janë paraqitur: banesë në Shkup, banesë në Ohër, edhe një banesë në Shkup me hapësira ndihmëse, të ardhura nga banesa e dhënë me qira prej 64.000 eurosh në vit, të ardhura mujore prej 80.000 denarësh nga ofrimi i shërbimeve për konsultime ekonomike-financiare. Në fletën anketuese është paraqitur edhe një kredi prej rreth 144.000 eurosh.

Gjendja pronësore e Sheqerinskës ishte cak i VMRO-DPMNE-së prej ku kërkuan përgjigje se si deputetja së bashku me burrin e saj posedojnë patundshmëri në vlerë prej rreth gjysmë milionë eurosh. Sheqerinska në akuzat u përgjigj se një pjesë e asaj prone është në emër të prindërve të bashkëshortit. Komisioni për parandalimin e korrupsioni paralajmëroi se do t’i shqyrtojnë të dhënat nga fleta anketuese e kësaj deputeteje.

Pavle Trajanovi, deputet i Lidhjes Demokratike
Lideri i Lidhjes Demokratike, deputet në përbërjen e deritanishme të Kuvendit, si pronë personale ka paraqitur: banesë në Shkup me vlerë prej 70.000 eurosh, tokë bujqësore në Radovish, ku ka edhe shtëpi për pushime, të cilën e ka trashëguar. Si pronë personale ka paraqitur edhe një tokë bujqësore në rajonin e njëjtë. Trajanovi posedon tre kartela për pagesë, e sipas asaj që është paraqitur, vetëm në njërën ka 24 mijë denarë. Bashkëshortja e Trajanovit, sipas fletës anketuese posedon shtëpi për pushim prej 138,5 metrash katrorë në Sonje të Shkupit, ku ka edhe tokë bujqësore prej 1.381 metër katrorë. Bashkëshortja e Trajanovit ka veturë dhe librezë kursimi me 32.000 euro. Si pronë e fëmijëve të tij është paraqitur edhe veturë dhe librezë kursimi me 8.000 euro.

Posto një koment »