Rikthehet fruthi në Dibër deri tani 18 persona janë të infektuar edhe pse kanë qenë të vaksinuar mëparë

dibraime2 March 27, 2019 0
Rikthehet fruthi në Dibër deri tani 18 persona janë të infektuar edhe pse kanë qenë të vaksinuar mëparë

Në njësitin punues për shëndet publik në Dibër konfirmuan se janë regjistruar 18 të infektuar nga fruthi, të gjithë me pasqyrë të lehtë klinike.

“Rasti i parë është regjistruar në fillim të shkurtit dhe deri më tani kemi 18 të infektuar nga fruthi. Bëhet fjalë për persona mbi moshën 25 vjeçare dhe të gjithë të vaksinuar, për shkak të së cilës edhe sëmundjen e kalojnë me pasqyrë të lehtë klinike. Nuk kemi pasur rast me komplikime”, deklaroi epidemiologu Mentor Mela, drejtues i njësitit.

Sipas tij në dy ditët e fundit nuk është regjistruar asnjë rast i ri. Gjendja përcillet me vëmendje dhe nëse ka raste të reja me siguri do të shpallet epidemi edhe në këtë komunë.

Epidemia e fruthit në Dibër është shpallur në korrik të vitit të kaluar, kur pjesa më e madhe e të infektuarve ishin mbi 30 vjeçar dhe nuk kanë qenë tërësisht të vaksinuar, ndërsa ka pasur edhe të atillë që i kishin marrë edhe dy dozat e vaksinës MRP. Mes të infektuarve ishin edhe dy punonjës shëndetësor.

Virusi në Dibër është “importuar” nga Shqipëria, kur një anëtar i familjes gjatë qëndrimit në Shqipëri ka qenë i sëmurë nga fruthi, ndërsa menjëherë pas kësaj edhe prindërit e tij. Të gjithë të infektuarit kanë qenë në lidhje familjare apo fqinj dhe kanë pasur kontakt të ndërsjellë.

Posto një koment »