Për 6 net me radhë, Qendra për Kulturë në Dibër u shndërrua në një ambient festiv, për atë se në këtë festival u prezantuan shfaqe të arrira teatrore nga hapësira gjithëshqiptare.
Mbrëmë në natën e fundit të Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, shkallëve të podiumit u ngjitën Baleti i Kosovës me pjesën “Ngjyrat e vallëzimit”, me koreografi të realizuar nga Mehmet Ballkan.
Përmes artit dramatik e vallëzues, Trupa e Baletit të Kosovës shprehu këndshëm ndjesitë e saj të shoqëruara me muzikë dhe këtij festivali i erdhi si qershia mbi tortë. Juria e Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, në përbërje të Milto Kutalit, Nebi Islamit dhe Pajazit Murtishit, ndan këto çmime:
“Aktorja më e mirë”-Irena Cahani, përmes pjesës “Gishti”, të autores Doruntina Basha, me regji të realizuar nga Erson Zymberi.
“Aktori më i mirë”-Afrim Kasapolli, me dramën nga Tirana e Prishtina, pjesa “Audienca”, të Vaslav Havel.
“Regjia më e mirë”- Afeida Boriçi, përmes pjesës “Emigranti”, drama nga Presheva.
“Shfaqja më e mirë” u shpall drama nga Kumanova “Sigurimi”, me regji të realizuar nga Qazmedin Nuredini.
Në përmbyllje të Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni” u nënvizua se ky festival hyn në vitin jubilar, pra në edicionin e 15 me shpresë që Festivali i Dramës të krijojë fizionomi edhe më të lartë. /Atli Dema