Në Shkup u mbajt konventa zgjedhore e subjektit më të ri politik shqiptar në Maqedoni “ Besa”, ku si koordinator i Këshillit iniciues, u zgjodh prof.dr. Bilall Kasami nga Tetova.
Ai ka deklaruar se Lëvizja Besa është shpëtimi i vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, dhe sqaroi se janë për të ndezur shpresat tek shqiptarët e Maqedonisë.
“Jemi këtu që ta ndezim shpresën të shqiptarët tanë te vëllezërit tanë të Besës, se jemi ne ata që mund ta rikthejmë krenarinë tonë. Ne besojmë dhe jemi të sigurt se vlerat tona janë po ato vlera që sot i promovon gjithë bota e qytetëruar: jemi njerëz të paqes, dashurisë dhe respektit të ndërsjellët. Nuk duam t’i marrim askujt asgjë, por ama as nuk duam ti falim askujt nga ajo që na përket neve. Kjo është ajo që na unifikon e na bën një me gjithë botën e civilizuar, BE-në, SHBA-në dhe të gjithë shteteve tjera të këtij qytetërimi”, ka deklaruar Koordinatori i Këshillit Nismëtarë të lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
U paralajmërua nga ana e tij se do të vizitohen të gjitha vendbanimet shqiptare në Maqedoni duke i dëgjuar hallet dhe brengat e tyre dhe duke i afruar mundësi zgjidhjeje të problemeve të tyre.
Anëtarë të Këshillit Themelues janë: Bilall Kasami, Suad Amzai, Avdush Demiri, Emad Mehmeti, Adnan Azizi, Afrim Gashi, Agim Alili, Amet Zyberi, Hatixhe Maksuti Hazbi Mamuti, Aziz Idrizi, Bejtulla Demiri, Blerim Sejdiu, Daim Luçi, Behar Sali, Ermira Asani, Fatmir Ejupi, Esmir Selmani dhe tjerë. Mes mysafirëve vëreheshin analistët politik: Mersel Bilalli, Ramadan Ramadani, Kim Mehmeti, Alajdin Demiri.