Një vjedhje që nuk përfundoi ashtu siç kishin planifikuar autorët, ka lënë sot një të vdekur dhe 4 të plagosur në qendër të Dibrës.
“6 persona të maskuar kanë rrëmbyer një taksi, kanë ardhur në qendër të qytetit janë futur në dyqanet e argjendarisë të vëllezërve Erebara, kanë plaçkitur gjithçka ka pasur në ato dyqane dhe përsëri me gjuajtjen e armëve për të frikësuar masën, janë larguar. Një pronar është i plagosur, një tjetër që është qytetar i Dibrës edhe ai është i plagosur dhe që të dy janë dërguar me urgjencë për në Shkup. Në Dibër po mbizotëron një gjendje kaotike që fatkeqësisht në vendin e ngjarjes prej orës 11 e deri më tani nuk është komandanti i policisë, nuk është inspektori i krimeve, policia në Dibër nuk funksionon dhe nuk ka kuadër përkatës’, tha Ruzhdi Lata, kryetar i Komunës Dibër.
Siç mëson Alsat, personi që ka kryer vjedhjen është pikasur nga kalimtarët dhe njëkohësisht ka ndeshur në rezistencën e pronarëve të argjendarisë. Personat e tjerë që mbështetnin plaçkitësin qëndronin jashtë. Pas zbulimit të skemës, kalimtarët e rastit i janë vërsulur grabitësit për ta neutralizuar, dhe në këtë përleshje, janë shkrepur edhe armët.