Nga: Arsim Kolari
Sot, më 14 qershor 2015, mbushen plot 10 vjet që se u nda nga jeta kolosi mbarëshqiptar, Musa Piperku. Ashtu siç qe, i ndershëm, i përkushtuar, i pastër, i qetë, i matur, i hijshëm, punëtor e dorëartë, i tillën ngelet edhe sot në syrin e vëllezërve dibranë, por edhe të mbarë shqiptarisë. Jo më kot u dallua shumë shpejt si kompozitori më i përkryer në tre zhanre muzikore. Musai u lind në Dibër të Madhe, trevën e diturisë dhe burrërisë, ku dhe kreu shkollimin fillor, për ta vazhduar atë të mesmëm në Prizren dhe në Akademinë muzikore të Beogradit. Dashuria dhe obligimi moral për vendlindjen e shtyu që pas mbarimit të fakultetit të kthehet e të kontribuuon në ngritjen e kulturës muzikore në qytetin e lindjes, Dibër. Po në këtë periudhë, merr iniciativë dhe e krijon orkestrin e parë dibran.
Kultura dibrane kulmin dhe avancimin e arrin me kontributin e të madhit Musa Piperku, pikërisht në Shoqërinë Kulturore e Artistike “Liman Kaba”. Me këtë shoqëri pat komponuar mjaft hite, siç kemi “Bukuri në Shqipëri”, “Trim o Skënderbe”, “Se Shqipëria nuk do tjetër”, etj., nën interpretimin brilantn të Sulejman Borovës, Violeta Turkeshit, Haxhi Maqellarës, Bashkim Paçukut, e mjaft të tjerë. Sukseset për Musain morën përpjetën në momentin që nisi punën në Radio Shkupin, e më vonë edhe në Radio Prishtinën, ku si bashkëpunëtor pat edhe bashkëqytetarin e tij, kompozitorin e dalluar, Nazim Kaba. Bashkë me Nazimin krijoi mjaft melodi të reja, libra shkollorë për artin muzikor, organizonin manifestime të ndryshme, me çrast i prezantonin veprat e tyre. Musai mori pjesë në shumë edicione të “Akordeve të Kosovës”, ishte pjesëmarrës nëpër festivale të ndryshme, duke radhitur në sirtarin e tij mjaft çmime e mirënjohje. Janë rreth 600 këngë të krijuara nga ai vetë, siecila më e suksesshme se tjetra, e po t’i gjurmosh nga afër, ato për mbrenda përmbajnë melodi freskuese me elemente përtej së bukurës, andaj e gjithë kjo arrihet atëherë kur artisti di të zgjedhë dhe të punojë me vullnet e shije. Dashuria dhe respekti që pat Musai për botën fëmijërore nuk ka laps që e përshkruan, ai fëmijët i cilësonte si lule që duhen kultivuar, fundja, lule të shëmtuar në botë nuk ka, ato janë gjithëçfarëshe e shumëngjyrëshe dhe deshi apo nuk deshi fëmija, këngën e ofruar nga Musai duhej ta performonte në mënyrën më profesionale, e për nxitje, Musai punoi këngën “O ju moj lule”:
“Ju moj lu-le moj bur-buqe
Qof-shi t’bar-dha qof-shi t’ku-qe
O ju moj, lu-le lu-le të ma-lit,
A-ro-më i dha-shi gjith fes-ti-va-lit”.
Për moshën rinore krijoi me qindra këngë, të cilat i sollën artistët më në zë, si: Nexhmije Pagarusha, Sabri Fejzullahu, Liljana Çavolli (e ndjerë), Shpresa Gashi, Besnik Krajku, e mjaft të tjerë. Këtu mund të përmendim këngën emblemë “Këngë moj”, e cila autor kompozimi ka vetë Musa Piperkun, e kënduar nga artisti i njohur i muzikës së lehtë, Besnik Krajkut, i cili për Musain thotë: “Me Musain jam njohur në vitin 1973-74 në fillet e mija si këngëtar i muzikës së lehtë. Në takimet që i organizonim në Radio Prishtinën, ai i evokonte kujtimet e tij nga Prizreni, prej nga unë vija. Bashkëpunimi ynë i parë u realizua në vitin 1980 me këngën “Këngë moj”, e cila arriti sukses të madh dhe u bë këngë emblematike shqiptare. Pas këtij suksesi, vazhdoi bashkëpunimi me këngën “Roberto, dashnor I vërtetë”, me të cilën mora pjesë në festivalin e Opatisë, dhe projekti tjetër ishte kënga qytetare “Prangat e kujtimit”, që me të cilën konkurova në Zambakun e Prizrenit. Veprat kolosale të Musa Piperkut janë regjistruar dhe do mbesin trashëgimi e muzikës shqiptare, ndërsa mirësia, bujaria e dashamirësia kanë ngelur në kujtesën time dhe të atyre që e njohën. Jam krenar që e njoha dhe punova me të!”.
Si kjo vepër e përjetshme, Musai ka edhe shumë të tjera, është kënga “Floriana”, dedikuar vajzës së tij Florianës, e kënduar në vitin 1973 nga simboli i kulturës shqiptare (siç e quajti ai), Liliana Çavolli.
“Flo-ra Flo-ra thirr-je ti
Flo-ra Flo-ra da-shu-ri
Flo-ra Flori-ana i-me
O sa for-t të du”
Vetë Liliana pat theksuar se, njëri ndër faktorët që ka ndikuar në ngritjen e saj, qe Musai dhe se shkaku i këngës së Musait “Floriana” i ka adhuruar të gjitha vajzat me emrin Flora dhe Floriana. Gjithashtu, Musai komponoi edhe këngën duet mes Liljanës dhe Nexhmije Pagarushës “Perëndeshë e bukur je”.
Me të madhen Nexhmije Pagarusha punoi mjaft, e si krijime më të veçanta mund të përmendim këngët “Kosovarja e bukur” dhe “Për ditëlindje”. Po këtë periudhë, Musai komponoi këngë për Bashkim Bicurrin, Mentor Vokshin, Sabri Fejzullahun, etj. Me këtë të fundit pat një bashkëpunim të përkryer, e sa e përmendim emrin e Musait, na asocon menjëherë me hitin e Sabri Fejzullahut “Vetëm për dashuri”, sjellur në vitin 1975. Sabriu, pyetur mbi bashkëpunimin e tij me Musain, në bisedën telefonike fillimisht qesh dhe thotë: “Akoma s’e keni të qartë se unë me Musain kemi qenë më shumë se bashkëpunëtorë?! Musai më ka dhuruar shumë hite të paharruara, ai është kolosi i muzikës mbarëshqiptare, një Musa vdiq ,e një i dytë nuk ka për të lindur!”. Ndër krijimtaritë më të reja të Musait, kemi librin muzikor për shkollat fillore “Tingujt muzikor”, por ai deri në fund të jetës punoi e krijoi në tre sfera muzikore: atë zbavitëse, popullore dhe muzikën për fëmijë.
Puna e tij, veprimtaria e tij, vlerat e tij, bukuria e tij, pastërtia e tij, vendosshmëria e tij, morali i tij, edukata e tij, civilizimi i tij, sot e kësaj dite nderohen dhe kujtohen me mall nga familjarët, bashkëqytetarët, bashkëpunëtorët, nxënësit dhe gjithë ata që e njohën dhe ndjekin rrugën e tij. I përjetshëm do jetë kujtimi për të!… / Arsim Kolari /