Sot Republika e Maqedonisë pas saj ka një përvojë dy dekadëshe dhe të lodhshme me kontestin e emrit për çka bisedimet po zhvillohen me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara. Ky kontest në mënyrë dramatike e limiton mundësinë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO, sepse të gjitha rrugët e Maqedonisë për në Bashkimin Evropian çojnë vetëm me ndryshimin e emrit ose nëpërmjet “djepit të demokracisë”, Athinës. Vitin që vjen Maqedonia do të ‘festojë’ 10 vjetorin e statusit kandidat për anëtarësim në BE. Greqia nuk ia pranon emrin, Bullgaria nuk e pranon gjuhën maqedonase, ndërsa Serbia nuk e pranon Kishën ortodokse të Maqedonisë, dhe për shkak të ‘marrëdhënieve të mira fqinjësore’ me ironi thuhet se ‘Maqedonia kufizohet vetëm me vetveten”, shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.
A ka edhe Maqedonia faj për këtë gjendje?
Po, thotë Stojan Andov, politikan me funksion të rëndësishëm në federatën e ish Jugosllavisë dhe kryetar i Kuvendit të parë shumë-partiak në Maqedoninë e pavarur.
„Sot janë të dukshme dy procese të cilat janë tërësisht të papajtueshme. E para është politika zyrtare e deklaruar nga të gjitha qeveritë se Maqedonia është e përkushtuar për integrimet evropiane, me çka duhet të përfundojë procesi i pranimit ndërkombëtarë dhe etablimi në politikën botërore. Procesi i dytë, i cili është bërë shumë i fuqishëm nga vjeshta e vitit 2007 e deri më sot, ka një ‘logjikë’ krejtësisht të kundërt. Politika gjysmëzyrtare dhe pjesërisht zyrtare shkon drejt ri-afirmimit të idesë për Maqedoninë e Bashkuar, e cila është shumë e rrezikshme për shtetin dhe popullin maqedonas. Në programet shkollore të shkollave fillore dhe ato larta i mësojmë fëmijët se Maqedonia ka pasur kufij etnik dhe gjeografik shumë më larg se ato që janë sot dhe se Selaniku ishte i joni. Pirini është i joni dhe duhet të synojmë të mbetet ashtu. Kësaj politike i janë bashkangjitur edhe projekte të financuara nga Qeveria, që dominojnë në media, muze… Dobësia e politikës së sotme është se nuk e sheh rrezikun që po krijon nga kjo mënyrë e të vepruarit”, deklaroi për DW, Andov.
Shkupi 2014 – “Ndërtim monumental i identitetit të popullit artificial të krijuar nga Tito”
Të gjitha ata që e kanë vizituar kryeqytetin e Maqedonisë e kuptojnë se për çfarë flet ai. Sot sheshi qendror i Shkupit ngjan në një arenë (agora) monumentale.
Ky mega- projekt i ashtuquajtur “Shkupi 2014” është kritikuar nga disa shtete fqinje si “ndërtim monumental i identitetit të popullit artificial të krijuar nga Tito”. Projekti që përpiu shumë mjete nga buxheti shtetëror është kritikuar edhe nga opinioni vendor, por më shumë për shkak të harxhimeve joproduktive.
Si shihet Maqedonia nga të jashtmit?
“Posaçërisht papunësia te të rinjtë paraqet rrezikun më të madh për shoqërinë, efektet e së cilës nuk mund të shihen menjëherë. Papunësia nuk sjell pasoja vetëm për ekonominë ose për individët të cilët janë papunë, por sjell pasoja më të mëdha për shoqërinë në përgjithësi. Të rinjtë kanë nevojë për perspektivë në jetë dhe për aftësi me të cilat do ti realizojnë qëllimet e tyre. Ndërkaq, të punësuarit duhet të jenë në gjendje të mbijetojnë nga rrogat e tyre, të kenë vend të sigurtë pune, të jenë të aftë të organizohen dhe ti shprehin të lirshëm ankesat dhe problemet e tyre” thotë për Dojçe Vele, drejtoresha e Fondacionit “Fridrih Ebert”, Stine Klaper.
Maqedonia është shtet në të cilën sot kemi 28 përqind papunësi dhe 30 përqind varfëri. Shtet i cili me disa masa ekonomike arriti disi ta tejkalojë krizën botërore por jo atë të brendshme politike.
Të rinjtë ikin
Ajo që sot i mungon Maqedonisë janë luftëtarët e vërtetë të cilët do të luftojnë për ndërtimin e shoqërisë qytetare e jo një shoqërie të përçarë në baza partiake, religjioze dhe etnike. Të rinjtë deri në moshën 29 vjeçare, të cilët janë dhe masa më e madhe e popullatës së papunë, dita ditës ikin jashtë vendit duke kërkuar zgjidhje për ardhmërinë e tyre. Diaspora bëhet më e madhe ndërsa vendi zbrazet. Në kohë kur problemi më i madh është ekzistenca, të rinjtë nuk kanë kohë të mendojnë për jubiletë historike.
As më të vjetrit nuk janë të kënaqur
Luftëtarët që morën pjesë në luftën çlirimtare para shtatë decenieve, janë krenarë për veprat e tyre, por janë të dëshpëruar për statusin e tyre. Gjeneral Todor Atanasovski, kryetar i Lidhjes së luftëtarëve thotë se ata kanë xhirollogarinë e bllokuar, e kanë humbur pasurinë e patundshme me anë të gjykatave, nuk kanë të holla as për anëtarësim në Organizatën botrore të veteranëve ndërsa qeveria nuk u jep asnjë qindarkë.
Mos të flasim për anëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që luftuan në konfliktin e 2001-shit, ata nuk përfshihen askund në ligjet e Maqedonisë.
Pas shtatë decenieve shtetësi, Maqedonia sikur është sërish në fillim: duhet të kalojë përmes “shtatë maleve dhe shtatë deteve” për të qenë pjesë e familjes evropiane. /Portalb
Me pak fjal duet te shperbehet ky shtet artificial