LATA: Për fenë po flasin ata që ndërtuan kryqe

dibraime2 April 6, 2014 0
LATA: Për fenë po flasin ata që ndërtuan kryqe

Pas takimeve me qytetarë në Kërçovë dhe në Saraj, Bashkimi Demokratik për Integrim është zhvendosur në Pallatin e Kulturës në Dibër, për një bashkëbisedim me banorët e kësaj ane. Takimi është shoqëruar me një interes të lartë për të dëgjuar idenë e kandidatit konsensual, e vlerësuar nga krerët partiakë si demokratike dhe unifikuese.

Qytetarëve të pranishëm i është drejtuar ndër të parët kryetari i Komunës së Dibrës, z. Ruzhdi Lata, i cili tha se është koha për të thënë një JO, në emër të së ardhmes së shqiptarëve.

Duke bërë vlerësime të larta për BDI-në dhe për idenë e saj, z. Lata tha se, nëse kjo e fundit ka ditur njëherë të kundërshtojë ushtarakisht, sot e bën këtë me forcën e fjalës.

Z. Lata, një njohës i çështjeve fetare dhe ish-kryetar i Myftinisë Dibër, u ndal edhe në përdorimin për qëllime politike të fesë, nga krerët e PDSH-së.

“Në fushatë u infiltruan edhe oponentët tanë, duke shfrytëzuar momente të ndjeshme në masë duke përzier në çështjet e tyre për të mbrojtur qëndrimin e tyre djallëzor, edhe Perëndinë. Duke harruar ndarjen e kryqeve, duke harruar nënshkrimin dhe ndërtimin e kryqit në Vodno dhe sot përsëri dëshirojnë të udhëheqin çështjen shqiptare. Ajo (PDSH) tashmë është zbehur, i ka kaluar koha, e ka gëlltitur historia. Historia kur gëlltit nuk kthen, ka gëlltitur perandori dhe jo më mendime të rëndomta të njerëzve shumë të rëndomtë”, tha z. Lata.

Në mesin e folësve ishte dhe zv.kryeministri Musa Xhaferri, i cili shpjegoi gjerësisht idenë e kandidatit konsensual. Ai tha se me këtë koncept që promovon BDI i jepet fund metodës e cila përjashton dhe pamundëson forcën e votës shqiptare, në zgjedhjen e presidentit.

Z. Xhaferri, duke iu referuar deklaratave të krerëve të VMRO-DPMNE-së, se “ideja e BDI-së kërkon të vendosin partitë për presidentin”, tha se, në të vërtetë ideja e BDI-së është të vendos populli dhe ja përse.

“Edhe BDI ka të njëjtin mendim, se populli duhet të zgjedhë popullin, por ka një dallim shumë të madh, jo vetëm një popull, por të gjithë popujt që jetojnë në këtë vend. Dhe që kjo të ndodhë nuk duhet të kemi majorizim gjatë votimeve, por duhet të kemi një model i cili ofron një demokraci përfaqësuese, që i përfaqëson të gjithë”, tha z. Xhaferri.

Ai u shpreh se Marrëveshja e Ohrit dhe harmonizimi i Kushtetutës nuk lejojnë në letër majorizimin, porse praktika dëshmon për të kundërtën për sa i përket zgjedhjes së presidentit.

“Marrëveshja politike e Ohrit kërkon konsensus mes etniteteve të ndryshme, lidhur me çështjet më të rëndësishme. Dhe ne konsiderojmë me të drejtë se, zgjedhja e kreut të shtetit, është njëra prej çështjeve dhe funksioneve shumë relevante dhe të rëndësishme për shtetin. Koncepti i ri i promovuar nga BDI në asnjë mënyrë nuk mund të jetë jodemokratik, për shkak se, ajo është gjithëpërfshirëse, kërkon përkrahjen e të gjithë popujve jetojnë në këtë vend”, tha në vijim z. Xhaferri.

Ai hodhi poshtë edhe pretendimet se, krerët e BDI-së janë ata që kërkojnë të vendosin për presidentin. Z. Xhaferri saktësoi se, BDI nuk flet në emër të drejtuesve të saj, por në emër të legjitimitetit të fituar nga elektorati shqiptar në 13 vitet e fundit.

Duke folur mbi idenë e zgjedhjes së presidentit në Parlament, si një praktikë e aplikuar në shumë vende evropiane me përbërje të ndryshme etnike, z. Xhaferri tha se, kjo është e vetmja mënyrë për të arritur demokracinë përfaqësuese. Sepse, sipas tij, presidenti është pikërisht institucioni më përfaqësues.

“Nuk mund të themi se presidenti nuk është i rëndësishëm në nivel të përfaqësimit të shtetit, përfaqëson shtetin, prandaj duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët. Ai është komandanti suprem i forcave të armatosura dhe për këtë arsye ai duhet të ketë lojalitetin e të gjithë qytetarëve. Ne nuk pamundësojmë të drejtën e votës të askujt, por themi se forma më e mirë e përfaqësimit të qytetarëve të Maqedonisë, nga ana e presidentit të ardhshëm, është me kandidimin e kandidat konsesual”, tha z. Xhaferri.

Ai tha më pas se, përjashtimi i shqiptarëve nga ky proces i vendimmarrjes është jodemokratik, më shumë se, siç tha ai, pretendimet se “të ftosh për të mos votuar, nuk është demokratike”.

Takimi u përmbyll me fjalën e kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, i cili e quajti idenë përparimtare dhe përafruese për komunitetet dhe popujt.

Ai vuri theksin veçanërisht te nevoja e barabarësisë së komuniteteve dhe përsëriti idenë se, shqiptarët duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë në institucionet më të larta të shtetit, sikurse është Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit.

Z. Ahmeti kërkoi më pas bashkëngjitjen me këtë ide të komuniteteve më të vogla etnike, meqë siç tha, falë kontributit të shqiptarëve ndodhen sot të përfshirë në Kushtetutë.

“Nuk kërkojmë të na përkulen, por të na jenë mirënjohës”, tha z. Ahmeti.

“Sigurisht, që kjo ide nuk është vetëm e BDI-së, është ide që do të fitojë çdo shqiptar, ide që me materializimin e saj do të krenohen edhe ata fëmijë që do të lindin në shekujt që vijnë pas. Unë jam i vetëdijshëm se idetë e mëdha duan edhe kohë, dhe kjo ide të cilën tanimë ne e kemi hedhur në diskutim të gjerë, me shqiptarët në Maqedoni, nuk ka lindur hëpërhë, por ka kohë që mendohet dhe përpunohet”, tha z. Ahmeti.

Ai bëri me dije se ideja është diskutuar me të gjitha partitë politike, sepse siç u shpreh “nuk duam të veprojmë pas shpine, duam demonstrimin e qëllimeve ideve dhe qëllimeve tona, sepse ato nuk janë të këqija por dobiprurëse për të gjithë qytetarët”.

Z. Ahmeti tha se BDI nuk do të pranojë të zmbrapset nga qëllimi i sa, deri në realizimin e saj të plotë.

“Shteti nuk është i dedikuar vetëm për njërën palë. Përkundrazi, unë po të isha në vend të tyre me kënaqësi do ta prisja një ide të tillë, sepse të garosh dhe të drejtosh në funksione të larta të shtetit është përgjegjësi dhe a ka më mirë për Maqedoni dhe të ardhmen e saj që edhe shqiptarët të marrin përgjegjësinë në institucionet e larta, si Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit…”, vijoi z. Ahmeti.

“Andaj, ne nuk punojmë, e as nuk i bëjmë hyzmet për t’i përplasur etnitë në këtë vend, ne nuk punojmë me skenarë ilegalë. Ne i thërrasim të gjithë qytetarët, përfshi dhe maqedonasit, që edhe ata të mendojnë dhe të reflektojnë, sepse e ardhmja e këtij vendi, qëndron te pajtimi dhe pikërisht kjo ide është një kontribut drejt pajtimit të dy komuniteteve më të mëdha. E pranuan ose jo, është më se e vërtetë se kanë ndodhur gjëra të dhimbshme midis nesh, por ama duhet të mbledhim energji. E kaluara të na shërbejë si një moment i hidhët, që nuk duhet përsëritur dhe të nxjerrim mësimet nga ajo”, theksoi z. Ahmeti.

Ai tha se BDI është e vendosur dhe e ka përnjëmend idenë dhe jo “me dy mendje, sepse ku niset kështu, ka dhe hamendje…ne jemi të bindur se jemi në të drejtë”.

Z. Ahmeti tha se, asnjë veprim i kandidatëve maqedonas për vardisjen ndaj shqiptarëve, nuk vlen në raport me idenë.

“Po dëgjojmë se z. Pendarovski i paska bërë uebfaqet në gjuhën shqipe. Po pse nuk i bëri para 5 vitesh, por tani na bëhet i ëmbël. Për ca uebfaqe ne nuk e hedhim poshtë idenë tonë”, vijoi z. Ahmeti.

Fushata “Jo, presidentit të njëanshëm” vazhdon sonte me takimin në Pallatin e Kulturës në Strugë, me fillim në ora 19.

Posto një koment »