Trupi i pajetë i Miljan Elezit, 35- vjeçarit që njihej me emrin Artur Tafani që u gjend në kufi me Shqipërinë mbrëmjen e së enjtes, vijon të mbahet në morgun e spitalit të Dibrës së Madhe. Policia e Shtetit prej dy ditësh vijon të shkëmbejë informacione në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur me 29 korrik në qendër të qytetit të Dibrës, ndërsa gjatë një grabitjeje me armë një agresor humbi jetën dhe dy persona të tjerë vendas plagosën. Referuar të dhënave që vijnë nga policia jonë, bëhet me dije se familja Elezi nga Elbasani ka bërë denoncimin e zhdukjes së djalit të tyre dy ditë pas ngjarjes së Dibrës. Familjarët, në momentin që janë bindur për zhdukjen e tij pa gjurmë kanë depozituar në policinë e Elbasanit të dhëna dhe një foto të djalit të tyre, ndërsa kanë qëndruar në pritje të ndonjë informacioni deri ditën e shtunë, kohë kur janë dhënë edhe detajet e para në lidhje me kufomën e gjetur në ndenjëset e pasme të mjetit “Range Rover” në vendin e quajtur “Livadhet e Mireshit”, në kufi me Shqipërinë. Burimet pranë policisë lokale saktësuan dje se të dhënat e para flasin për një person krejtësisht të panjohur nga ana e tyre, pasi familjarët kanë treguar se djali i tyre ka qëndruar prej shumë vitesh në Greqi. Prej dy ditësh, policia e Elbasanit në bashkëpunim edhe me sektorin e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit kanë janë vënë në lëvizje për të zbuluar se kush janë grupi me të cilin ka kryer grabitjen viktima. Dyshimet flasin për skenarë të ngjashëm edhe në disa raste të tjera, ndërsa ngërçi i madh për blutë lidhet me faktin se viktima është person i paskeduar dhe i panjohur në vend.
Viktima e grabitjes
Miljan Elezi, është emri i ndryshuar i Artur Tafanit, për të cilin mësohet se ishte një djalë i birësuar. Familja e tij është nga fshati Belsh i Elbasanit ndërsa edhe birësuesit e tij janë po nga i njëjti fshat. Sipas informacioneve të para që ka policia e Elbasanit mësohet se viktima është një person që thuajse është rritur në Greqi dhe ka jetuar prej shumë vitesh atje. Familjarët kanë treguar se ai është kthyer para më pak se një viti në Shqipëri dhe përgjatë gjithë kësaj kohe ai ka qëndruar vetëm me familjet e tij. Largimi i tij pa adresë për sa kohë ka qëndruar në Elbasan, ka bërë që familjarët të dyshojnë në zhdukjen e tij dhe të kërkojnë ndihmën e policisë për gjetjen. Sipas të dhënave policore, kërkimet për Elezin nisën që me 31 korrik dy ditë pas incidentit të rëndë në Dibër të Madhe, por fakti që Elezi kishte qëndruar mjaft kohë në Greqi, është ngritur dyshimi se ai mund të ishte nisur në drejtim të vendqëndrimit të tij të mëparshëm pa iu treguar familjarëve. Ky fakt ka zbehur edhe kërkimet, derisa u njoftua se në kufi me Shqipërinë ishte gjetur trupi i pajetë i një personi i seksit mashkull që dyshohej se ishte shtetas shqiptar dhe është kërkuar informacion nga autoritetet tona. Në drejtim të policisë së Dibrës së Madhe është nisur fotoja e tij, ndërsa burimet tregojnë se deri orëve të vona të së djeshmes, nuk është bërë e mundur tërheqja e trupit të viktimës. Burime nga policia e Elbasanit bënë me dije pasditen e djeshme se Elezi është një person pa precedent të mëparshëm. Madje në zonë njihej si person i rregullt dhe mjaft familjar, ndërsa tashmë kërkohet ndihma e homologëve grekë për të mësuar hollësi për emrin e tij për gjatë kohës së qëndrimit atje.
Në kërkim të bandës së grabitësve
Pas grabitjes horror në qytetin e Dibrës së Madhe, ku u tha se për më shumë se dy orë policia ishte e paaftë të ndërhynte që të ndalonte bandën e armatosur, vendasit për asnjë moment nuk e ndryshuan qëndrimin e tyre se grabitësit ishin nga Shqipëria. Mirëpo, nga Policia e Shtetit nuk u përcoll asnjë informacion në lidhje me dyshimet e policisë maqedonase, derisa u mësua se viktima e atij agresioni për të grabitur bizhuteritë e floririt ishte qytetar shqiptar. Referuar burimeve konfidenciale bëhet me dije se po punohet intensivisht për të mësuar se kush janë personat e tjerë të cilët kanë qenë në grupin e viktimës Elezi. Ekspertët e Policisë dyshojnë se kanë të bëjnë me të njëjtin grup që kanë kryer edhe më parë sulme të tilla, ku ai më i madhi u regjistrua pasditen e 24 dhjetorit në një argjendari në një prej qendrave më të mëdha tregtare në vend. Madje një fakt i tillë pohohet edhe nga burime të policisë së Tiranës që thanë se pas ngjarjes së ndodhur në Tiranë, ka pasur informacione dhe të dhëna se grabitësit mund të ishin nga Elbasani. Policia i humbi gjurmët e grabitësve-babagjyshër që natën e sulmit, ndërsa gjetën makinën e grabitjes të shkrumbuar në periferi të Tiranës. U tha se i njëjti mekanizëm grabitjeje u përdor edhe në një argjendari në Prizren, pak ditë më pas, ndërsa sulme të ngjashme janë shënuar edhe në Durrës dhe në Tiranë, teksa autorët në të dy-ja rastet ishin të veshur me kamuflazhe ushtarake dhe policie. Policia ka nisur bashkëpunimin me homologët maqedonas për të iu vënë në dispozicion pamjet filmike të përleshjes së dhunshme me armë në Dibër, ndërsa kanë rihapur edhe njëherë dosjet e të gjitha grabitjeve të ngjashme që janë end epa autor që kanë ndodhur në vendin tonë.
Nikoleta Kovaçi