Haxhi Vehbi Dibra (1867-1937) – Heroi i çështjes kombëtare

dibraime2 December 1, 2014 0
Haxhi Vehbi Dibra (1867-1937) – Heroi i çështjes kombëtare

Hoxha që punoi jo vetëm për Fe, Hoxha që veproi edhe për Atdhe…

Haxhi Vehbi Dibra lindi në vitin 1867, në Dibër të Madhe, në një familje të nderueme, në familjen e Agollëve, të njohur për veprimtari fetare dhe atdhetare. Është djali i Ahmed Efendi Agollit, hoxhë i respektuem, Myfti i Dibrës së Madhe.
Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll, ku përveç studimeve fetare, merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare.

Vehbi Dibra, ky personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,  teolog dinjitoz u shfaq në momentet vendimtare të historisë sonë dhe shumë shpejt zuri vend në plejadën e patriotëve të rëndësishëm e më në zë të Rilindjes sonë. Ai hyri në skenën politike e shoqërore aty nga fundi i shekullit XIX, në vitet e furishme të luftës së populit shqiptar për çlirim kombëtar.

Vehbi Dibrën që të ri e gjejmë pjesëmarrës të shumë mbledhjeve e kuvendeve të rëndësishme të kohës, që lidhen me luftën e përpjekjet e popullit tonë për pavarësi, përparim, kulturë e dije. Është e njohur pjesëmarrja dhe ndihmesa i tij në “Lidhjen e Dibrës” të krijuar në dhjetor të vitit 1896. Ai mbështeti fuqimisht idetë dhe vendimet e Kongresit të Manastirit, për një alfabet të ri të gjuhës shqipe, dhe për mësimin e shqipes në shkollat e Shqipërisë. Më pas, atë do ta shohim kryetar të Kongresit të Dibrës, do ta gjejmë në krye të luftës kundër atyre që përpiqeshin të pengonin zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare dhe pranimin e alfabetit shqip. Por ajo që merrte vlera të veçanta për vetë situatat dhe problemet që kalonte vendi ishte  këmbëngulja me të cilin Vehbi Dibra dhe patriotët e tjerë shtronin çështjen e bashkimit të kombit shqiptar, kërkesën që shqiptarët të administrojnë vetë punët në shtëpinë e tyre, dhe domosdoshmërinë e hapjes së shkollave shqipe.

Pa dyshim ngjarja më e rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë patriotike të Vehbi Dibrës është pjesëmarrja në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe që e zgjodhi këtë burrë të Dibrës e të mbarë vendit kryetar të Pleqësisë (Senatit) të parë shqiptar – si organ kontrollues e këshillues të qeverisë. Roli i tij si teolog e dijetar u ndie më së shumti kur iu kundërvu disa klerikëve dritë-shkurtër të kohës, të cilët mendonin se sipas fesë nuk duhej të kishte gjallesë a shpend në flamur. Me ndërhyrjen dhe njohjen shumë të mirë të Kur’anit nga H. V. Dibra pretendimet e tyre u hodhën poshtë dhe shqiponja dy-krenare qëndroi në qendër të flamurit tonë kombëtar.

Dokumentacioni i kohës dëshmon se Vehbi Dibra me cilësinë e Kryetarit të Pleqësisë, iu bë krah Ismail Qemalit. Në çdo hap, në çdo problem që kishte shteti i ri, ai ndihmonte me idetë, dhe veprimin e tij. Kështu, krahas ngritjes së flamurit, i kushtoi një vëmendje të madhe edhe punës së ngritjes dhe të organizimit të organeve lokale të Qeverisë së Përkohshme në Dibër e gjetkë. Në 30 mars, kur Ismail Qemali në krye të një delegacioni shkoi në disa kryeqytete të Evropës për të sensibilizuar opinionin evropian në favor të çështjes shqiptare, atij i u besua detyra e kryesimit të Qeverisë së Përkohshme.

Kryengritja antiserbe në shtatorin e vitit 1913 është një nga ngjarjet e shumta historike të kohës, ku u ndie drejtpërdrejtë veprimtaria patriotike e Vehbi Dibrës, e cila siç dihet ishte një shpërthim i revoltës së ligjshme popullore në trevat e aneksuara nga Serbia, që la gjurmë në histori. Nga dokumentet e kohës rezulton se Vehbi Dibra ishte një nga veprimtarët, organizatorët dhe drejtuesit e kryengritjes anti-serbe. Këtë të vërtetë e pohojnë edhe dokumentet e huaja, madje edhe ato serbe.

Në funksionin e Kryemyftiut të emëruar nga Kuvendi i Vlorës me 1912 dhe të Kryetarit të Këshillit të Naltë Sheriatit të krijuar më 1916, ai u shqua në realizimin e detyrave për organizimin, drejtimin dhe mbarëvajtjen e Komunitetit musliman shqiptar, krijimin e një bashkësie islamike të pavarur nga Shejhul Islam i Stambollit, për ndërtimin e marrëdhënieve me shtetin e ri shqiptar ndërkonfeksional, të marrëdhënieve me komunitetet e tjera mbi bazën e mirëkuptimit vllazëror dhe ecjen në rrugën e qytetërimit modern.

Si teolog i përgatitur dhe një studiues shumë dimensional Vehbi Dibra ishte një interpretues dhe komentues i shkëlqyer i Kur-anit. Këtë ai e bënte jo vetëm përmes veprimeve e predikimeve gojore, por edhe në shumë shkrime që na ka lënë. Në mënyrë të veçantë atë e shqetësonte niveli arsimor e kulturor i klerikëve dhe i nëpunësve dhe predikimi në arabisht e turqisht i tyre. Për këtë qëllim ai i kushtonte një rëndësi të veçantë të mësuarit të gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj në gjithë sistemin e herarkisë së klerit mysliman dhe në praktikat fetare.

Vehbi  Dibra ishte një nga ata që asnjëhere nuk e pa fenë si një humnerë që ndante e përçante shqiptarët, përkundrazi, ai mbronte idenë e unitetit të popullit pa dallim feje. Ai insistonte që shkollat fetare të bëjnë jo vetëm mësime për Kur’anin, por të mësojnë mirë gjuhën tonë shqipe, arithmetikë, histori, gjeografinë e vendit, t’u jepen njohuri mbi natyrën, botën shtazore etj.

Ndër temat e shumta shoqërore, që trajtoi në shkrimet e tij, një  vend të rendësishëm zënë edhe problemet e qëndrimet ndaj gruas e familjes. Vehbi Dibra nuk pajtohej me shfaqjet që vinin në kundërshtim me të drejtat e gruas dhe të burrit. Një nga këto dukuri ishte fejesa e të rinjve nga prindërit pa mbushur moshën 17 vjeç për vajza, dhe 18 vjeç për djem, kufij këto që ai vuri në ligjin mbi të drejtat e burrit dhe të gruas. Ai gjithashtu ndërhynte me ngulm kundër rasteve të shitjes së gruas për martesë. Ai ishte nga klerikë që eci në një hap me lëvizjen progresive e demokratike shqiptare. Edhe në këtë aspekt ai e tregoi veten të kulturuar, përparimtar e demokrat, njohës të mirë të botës orientale e oksidentale.

Në planin politik te Haxhi Vehbiu gjejmë një propagandist të shkëlqyer, që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e kombit e të atdheut. Në unitetin dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve shihte të vetmen rrugë për të siguruar të ardhmen tonë.

Veprimtaria e tij për Shqipëri

  • Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit.
  • Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh kryetar i Kongresit.
  • Në vitin 1912, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, ishte përfaqësues i Dibrës.
  • Në Qeverinë e Parë të Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra zgjidhet Kryetar i Pleqësisë, zgjidhet edhe nënkryetar i Qeverisë.
  • Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipërisë.
  • Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Muslimanëve Shqiptarë.
  • Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi, ai që e përuroi Medresenë e Naltë në Tiranë.
  • Përveç këtyre detyrave me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari. Ka shkruar, ka botuar shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939.
  • Në vitin 1993, nën përkujdesjen e Imam Vehbi Ismailit, në Harper Woods, të Detroitit, në shtetin Michigan, në SHBA, botohen të përmbledhura shkrimet e Haxhi Vehbi Dibrës, nën titullin “Ç’urdhëron Kur’ani ?”
  • Haxhi Vehbi Dibra u nda nga jeta me 24 Mars 1937, në moshën 70 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqipëtare.Thenie nga H. V. Dibra:
  • “Me zgjedhë të aftin e të meritueshmin dhe me e vu në krye të detyrës, e pastaj ky me veprue e me gjykue me arsye, me drejtësi. “
  • “Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë” – Në Ditën e Flamurit, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, me 28 Nëntor 1912.
  • “Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”.
  • “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.
  • “Injorancën s’mund ta justifikojmë me pleqërinë tonë, as me mungesën e shkollave në atdheun tonë… pse jemi urdhnue për të studiue deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhtue deri në vendet më të largëta për të studiue”.
  • “Duhen shtyrë kufijtë e diturisë në horizonte me të largëta se ç’kanë parafytyruar teologët dhe dijetarët e parë të trevave tona”.
  • “Interesi i Shqipërisë sot është të jemi të gjithë të bashkuar për përparimin e vendit. Jemi aq të pakët dhe aq të dobët në përvojë, sa vetëm të bashkuar që të gjithë do të mundim t’i sjellim dobi atdheut, i cili më tepër se kurdoherë ka nevojë për bashkimin tonë”. Mesazhi i tij për klasën politike të kohës përbënte një leksion të vërtetë: “Populli ynë i vogël në numër, që boll ishte përgjakur e tkurrur në luftrat me të huajt, nuk kishte nevojë për t’u vra me njeri-tjetrin, as qeveria, as populli, as kombi,- thoshte mesazhi i Vehbi Dibrës ne nje nga fjalimet, –  nuk kishin interes të derdhej kot gjak shqiptari për interesa të ngushta të dikujt; vendi përkundrazi, kishte nevojë për qetësi, për bashkimin e të gjithëve për një qëllim, për përparimin e Kombit.”
  • “Jeta dhe naltësia e një kombi bazohet në dy kondita: nëpunës të aftë, gjyqe të drejta.”
  • “Çel sytë sot që të mos qajsh mot.”

(Pjesa përshkruese është përmbledhur nga artikulli shkencor për H.V. Dibrën, i Prof. Dr. Qazim Xhelili dhe Prof. As.Dr. Arian Kadiu për revistën Perla, dhe të dhënat e tjera janë marrë nga arkiva publike.)

Posto një koment »