Protestat në Maqedoni pas dënimit me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve nga gjykata maqedonase, po kanosen të reflektojnë edhe mbi raportet ndërshtetërore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Partia e Kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili tha se protestat janë pasojë e mosimplementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
(Deklarata e Kryeministrit Edi Rama në datën 8 Korrik 2014): “As burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamujt e një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen. Por këto janë pasoja të mos zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe të një humbjeje të besimit tek shqiptarët, të cilat garantët nuk duhet t’i kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së përgjegjësive të tyre. Ashtu sikundër besoj unë edhe flamujt e radikalizimit fetar nuk ngrihen mbi shkopinj po mbi plagë sociale gryese, varfërim, papunësi, keqarsimim dhe izolim”.
Nga partia e Gruevskit porositin Kryeministrin shqiptar Rama se nuk është i informuar sa duhet për zhvillimet në Maqedoni.
Protestat radikale që këtyre ditëve po zhvillohen në Maqedoni nuk kanë kurrfarë lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, e as me marrëdhëniet ndëretnike, por përkundrazi, organizatorët e këtyre protestave fshehin agjendën e tyre radikale pas Marrëdhënieve ndëretnike”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Partia e Gruevskit e cila është në koalicion me BDI-në e Ali Ahmetit, ka bërë vlerësime edhe më të rënda lidhur me prapavijën e protestave. “Këto protesta janë të motivuara dhe janë produkt i elementeve radikale fetare, të cilët kundërshtojnë vendimit të një gjykate të pavarur, për vepër të kryer penale vrasje mizore të pesë personave, prej të cilëve katër janë adoleshentë”, thuhet në kumtesë.
Prej VMRO-DPMNE-së i rekomandojnë Kryeministrit Rama të zhvillojë një vizitë në mjediset në Shqipëri, ku siç thuhet jeton popullatë etnike maqedonase, dhe t’i shohë kushtet në të cilat jetojnë ata njerëz atje dhe të bëjë krahasim me kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në Republikën e Maqedonisë.
Partia e Gruevskit kërkon nga Kryeministri shqiptar që të organizojë debate dhe të bisedohet për nivelin e plotësimit të standardeve që mbretërojnë në dy vendet.