Dibra është një trevë mjaft e njohur me vlera historike, shoqërore, veçanërisht me vargun e karakteristikave kulturore. Këto vlera të patjetërsueshmë etnokulturore, Dibra i ka sepse i përmbahet dhe e respekton traditën, duke trashëguar brez pas brezi, rite, zakone, doke, veshjet dhe këngën popullore. Kënga me llojet dhe zhanret e ndryshme u zhvillua nëpër faza kohore, nëpër doke, ceremoni, momente e ngjarje, disponime për të dhënë mentalitetin, koncepte, mendime, angazhime, luftë dhe ndjenjë, të sjellura me mjeshtëri të magjishme nga artistët tanë. Nuk ka të diskutuar mjeshtëria e këndimit të këngëtarëve dibranë për vendin e tyre, por sot syri ynë është fokusuar mbi interpretimin e margaritarit të këngës popullore Shkurte Fejza, e cila do të dallonte dhe këndonte herët kulturën e lavdinë dibrane. Ajo, më 1985, realizoi koncertin e parë në Dibër, koncert ky që rezultoi pozitivisht në njohjet e para me kompozitorë e artistë dibranë. U informua mbi brezin e solistëve më të vjetër, siç ishin: Abdyl Sturçe, Melita Shehu, Muharrem Zajmi, Aziz Ndreu, Skënder Cala, Sulejman Borova, Violeta Turkeshi, etj., për të vazhduar te gjenerata më e re, Haxhi Maqellara, Qerim Sula, Liri Rasha, Arif Vladi, Bashkim Paçuku, Caje Poleshi, Agron Maqellara, Vera Laçi, Sherif Dervishi, e mjaft të tjerë. Gjithashtu, u pajis me dijeni për poetët e kompozitorët Naim Plaku, Musa Piperku, Edmond Zhulali e Përparim Tomçini.
Mes shumë suksesesh, po prekim disa nga këngët të kënduara ndër vite: “O mirë se na erdhe”, “Kur dola te dera”, “Ibe Palikuqes”, “Moj Fusha e Korabit”, “Moj syzeza vetullhollë”, “Djemtë e Dibrës marrin hak”, “Kënga e Suf Xhelilit”, “Luftën Dibra seç e nisi”, “Hajredin Pasha po I bjen Radikës”, “Moj hana e Korabit”, “Çou moj cucë e dil te ara”, “Dola jashtë po binte shi”, “Vijnë pamporat përreth detit” dhe “Çou moj Dibra e nanës”. Imagjinata dhe talenti I Shkurtes, kur u bazua në tekstet dhe meloditë e këtyre këngëve, I transformoi në stilin vetjak, për t’I shndërruar në “këngë emblemë”. Vetë artistja jonë na thekson: “Sa herë që në këngët e mia janë artikuluar fjalët “Dibër”, “Atdhe”, “Flamur”, “Shqipëri”, “Skënderbe”, “Liri” etj., salla shpërthente në brohoritje e vaj dhe derdhej deti I lotëve nëpër publikun e mallëngjyer. Kur këndoja “pushkën e dibranit” publiku shprehte mallin nga zemra e shpirti i djegur, ndaj simbolet tona ishin në zemrat e mendjet e shqiptarëve, veçanërisht kur I këndoja vargjet:
“Flak ndizet toka
Qielli shkrep rrufe
Jo nuk shuhet Dibra
Lufton për atdhe”.
Për Fejzën, krijimi I artit muzikor qe luftë kundër harrimit dhe këngën e cilësoi si ndeshje ndërmjet jetës kalimtare dhe vdekjes, ajo synoi shpëtimin në pavdekësinë artistike të mbetur si trashëgimi për pasardhësit. Qëndresën dibrane e vulosin vargjet:
“N’atë rreth të Drinit
Në ranzë pushka krisi
Luftën Dibra oh mor seç e nisi…
S’ke ku shkon o bir I dushmanit
Nuk I lëshon jo pushkët dibrani
O se ne I dalim o mor zot vatanit!”
Kë të takosh, të thotë një fjalë të ëmbël për të, e ne këtu po veçojmë ca mendime të atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të:…
Qerim Sula (këngëtar): “Shkurte Fejza është ikona e këngës mbarë shqiptare. Unë jam gjenerata e saj dhe ne si të tillë duhet të ndiqemi nga brezi I ri. Të rinjtë tanë duhet të mësojnë se si Shkurtja zhvilloi dhe kultivoi këngën popullore epike. Kënga dibrane e kënduar nga ajo duhet të jetë një frymëzim për ne, ndaj vlerësimet që mund t’i jap janë pak karshi vlerave të saj”.
Sulejman Borova: Me Shkurten jam njoftuar kur ishim në Ferizaj në manifestimin “Kosovarja këndon”, ku ansambli ynë “Liman Kaba”, ishte ftuar jashtë konkurencës, si ansambël I dalluar në interpretimin e këngëve popullore. Këtu Shkurtja u dallua me afërsinë dhe komunikimin ndaj njerëzve, ndërsa kulminacioni u arrit në momentin kur interpretoi shkëlqyeshëm në skenë këngët e trimave dhe dëshmorëve të kombit. Ajo interpretoi me sukses edhe këngët dibrane, ndaj I uroj përzemërsisht që ai zë I bilbilit që ka në gërmaz të mos I pushojë kurrë”.
Haxhi Maqellara(këngëtar & kantautor): “Këngëtaren e madhe, kolegen time, Shkurte Fejzën e njoh që në vitin 1984. Të shkruash për të, nuk është e lehtë. Ajo është “burrneshë” e muzikës sonë popullore, ose me mirë, gjigande e paarritshme dhe e papërsëritshme! Duke kënduar këngët e Aziz Ndreut, Lirie Rashës, Qerim Sulës, Vera Laçit e Caje Poleshit, ajo veç këngëve të shumta patriotike të mirëfillta, popullarizoi edhe këngët dibrane në Kosovë dhe gjithë trojet shqiptare në ish Jugosllavi”.
Vera Laçi (këngëtare): “Shkurte Fejza është këngëtare e tabanit me mjaft seriozitet. Me këndimin e këngës dibrane, Shkurtja ngriti lartë popullin dibran dhe veten! Me pak fjalë, ajo ka vlera si artiste e folkut shqiptar…”.
Edmond Zhulali (kompozitor): “Shkurte Fejza është një ndër përfaqësueset e muzikës popullore. Ajo shquhet për një vokal të plotë, me diksion mjaft të qartë dhe me një mjeshtëri të madhe në interpretimin e melizmave dhe karakteristikave të muzikës popullore. Teknika e saj e lartë bën që të interpretojë të gjitha zhanret e këngës popullore, si ato lirike, ashtu edhe epike. Janë të shumta interpretimet e saj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, janë këngët lirike, por në veçanti ato që I kushtohen Kosovës, Shqipërisë, dëshmorëve, etj. Shkurtja, me interpretimin e këngës dibrane evidentoi vlerat tona kombëtare”.
Përparim Tomçini (kompozitor): “Shkurtja është fenomen I muzikës popullore të Shqipërisë së veriut. Si e tillë, nuk është gabim ta quajmë “këngëtare dibrane”, sepse ajo I ka dhënë vlera të veçanta këngës dibrane në përgjithësi”.
Mu për këtë, Shkurte Fejza ishte, është dhe do ngelet zë I veçantë dhe I garantuar në muzikën burimore shqiptare. /DibraIme.com
Z. Arsim. Ne brezin e kengetareve te vjeter keni haruar pa permendur pikerisht te parin e kenges qytetare dibrane BESIM ÇUTRA. Pyet Abdyl Sturcen se kush e ka mesuar te kendoje. Une kam fotot e Besimit duke kenduar me Meliten, me Hafsa Zyberin, Xanin etj. Por ju kujtoni me shume ne treven e Dibres kendej me shume malesoret.
Po muzikën e lehtë e ke harruar ? Pse, vetem kenge patriotike kendoka Dibra ? Po ku eshte kompozitori i kenges se lehte Gafur Murati ?!
Ppërshëndes gjithë dibranët kudo që janë nëpër botë.
“Dibraime” nuk është vetëm e jueja,por ajo bukuroshe,ajo kreshnike që i ka dhënë botës
shqiptare shumë burra të pushkës,shumë intelektualë,shumë punëtorë të sferës së kulturës,
andaj ajo është edhe manastirasit QENAN HASANIT.
dIBRANËT E KANË MBAJTUR NË GJALLËRI
SHQIPTARIZMIN.