TIRANË- Shoqata Bashkësia Dibrane në Tiranë, me rastin e 115-vjetorit të themelimit të saj organizoi një aktivitet përkujtues, në të cilin u vlerësuan me Certifikatë Mirënjohjeje, disa figura kombëtare, të artit, kulturës, shkencës, ndërtimit, sportit, besimit, me prejardhje nga Dibra e Madhe.
Ndër personalitetet e vlerësuara ishin: skenaristi dhe regjisori Gëzim Erebara; mjeku Azmi Dibra; kompozitori Agim Krjaka; aktori Fadil Kujofsa; Prof. Dr. Ylli Vejsiu; Prof. Hiqmet Gonxhe; dijetari dhe eruditi, Said Najdeni (Hoxhë Vokrri); Mësuesi i Popullit, Moisi Tërshana; Ing. Irfan Findo; balerina e TOB, Mukades Erebara; Mjeshtri i Sportit Astrit Greva etj.
I pranishëm në këtë aktivitet të Bashkësisë Dibrane ishte dhe kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova, i cili ka zbuluar origjinën e tij, ndërsa ka vlerësuar kontributin e kësaj bashkësie në jetën e qytetarëve shqiptarë.
“Mamaja ime vjen nga Dibra e Madhe, babai kosovar. Ky është kombinimi im. Unë jam pjesë e bashkësisë dibrane të cilës i takoj me gjak me zemër dhe me çdo gjë. Bashkësia Dibrane është një komunitet i organizuar dhe keni dhëne një kontribut të vyer në jetën e qytetarëve në të gjithë Shqipërinë”, tha Kosova.
Shoqata Bashkësia Dibrane Zgjodhi Bujar Kapexhiun si kryetarin e ri të saj për 4 vitet e ardhshme. Ndërsa në mbyllje u shfaq dhe një dokumentar për Dibrën e Madhe.