Dibranët në hall me qentë endacak. Shtohen rastet e sulmeve, mungojnë vaksinat (FOTO)

dibraime2 May 4, 2014 0
Dibranët në hall me qentë endacak. Shtohen rastet e sulmeve, mungojnë vaksinat (FOTO)

Mungesa dhe rregullimi i deponisë së mbeturinave, neglizhenca e institucioneve, dhe mbi të gjitha, prurja në masë të madhe e qenve nga komunat tjera fqinje ka bërë që banorët e Dibrës të jenë të rrezikuar nga qentë endacak.

Ndonëse në Dibër kanë ardhur edhe 7 veterinerë nga NetAp (Network for Animal Protection), me seli në Zvicër, të cilët kanë bërë thirrje për sterilizimin e qenve endacak, thirrjet e tyre kanë hasur në vesh të shurdhët.

Veterinari Maksud Kërluku për portalin Almakos përmend disa rreziqe nga qentë endacak.

“Numri i madh i qenve endacak përben rrezik të madh për qytetarët sidomos për ata të moshës së vogël parashkollor që jo pak herë shkojnë vetëm të pashoqëruar në shkollë dhe për moshën e tretë që nuk kanë mundësi reagimi gjatë një sulmi të mundshëm. Qentë janë kafshë që bartin sëmundje qe transmetohen tek njeriu si, zoonoza siç është më aktuale, si dhe, tërbimi dhe ekinokoku”, shprehet Kërluku. Ai shprehet se për këto kafshë duhet të ngrihen qendra strehimi ku ato do të mund të trajtohen sipas proceduarve përkatëse, siç është dehelmentizimi, kastrimi apo sterilizimi, si dhe vaksinimi.

“Fatkeqësisht nuk kemi kushte për këto ligje, s’ka financim…ka një grup pune në komunë që ka emrin LER që duhet të thithi fonde dhe projekte të këtij lloji”, thotë Maksud Kërluku, i cili po ashtu thekson se shkaku i neglizhencës të autoriteteve komunale veterinerët nga Zvicra ikën të zhgënjyer nga Dibra.

Të kontaktuar nga Almakos, LER, grupi i posaçëm në komunën e Dibrës që merret me këtë problematikë, konfirmuan problemin me qentë endacak. Sipas tyre, problem paraqet edhe prurja e qenve të braktisur nga qytetet e tjera.

“Përkundër faktit që s’kemi pasur ndonjë rast sulmi, problemi qëndron. Ne në muajin nëntor ndërtuam disa kabina për qentë endacak ku parashihej sterilizimi i tyre, mirëpo prurja e qenve nga komunat fqinje, siç ishte rasti i vitit të kaluar kur policia ndaloi një kamion të ngarkuar me qenë nga Gostivari, flet qartazi se problemi është më i madh se kaq”, thonë përfaqësues të komunës.

Mirëpo, për dallim nga autoritetet komunale të cilët deklaruan se nuk ka pasur ndonjë rast të sulmit nga qentë endacak, në spitalin e komunës së Dibrës e thonë të kundërtën.

Mantelbardhët për portalin Almakos konfirmojnë së në spitalin e Dibrës paraqiten raste të shumta të pacientëve që janë kafshuar nga qentë endacak.  Sipas tyre, numri i këtyre rasteve është në rritje dhe shumë prej viktimave dërgohen me urgjencë në spitalin shtetëror të Shkupit për t’u vaksinuar kundër kafshimeve të qenve,  meqë në spitalin e përgjithshëm në Dibër nuk ka as vaksina për parandalimin e sëmundjes së tërbimit.

Njeriu sëmuret nga kafshimet e kafshëve të tërbuara ose dhe nga të rënit në kontakt me jargët e kafshëve, kur lëkura e tij është e dëmtuar. Qeni më shpesh kafshon gishtërinjtë, dorën apo cilën do pjesë të trupit, kurse te fëmijët kokën dhe barkun. Qeni me kafshimet e tij mund të shkaktojë plagë shqyese dhe ndrydhje të indeve, që shpesh mund të paraqesin rrezik për jetë, nëse shtaza është e tërbuar.

Kafshimi nga kafshët e tërbuara

Kur kafsha e tërbuar kafshon njeriun, në vendin e kafshimit virusi depërton në inde dhe me anë të nervave përhapet në tru duke shkaktuar dëmtime të rënda. Sëmundja fillon me frikë, shqetësim, kokëdhimbje, dhe më vonë paraqiten spazme të cilat janë karakteristikë e kësaj sëmundjeje.

Ndihma e parë

Pastrimi i plagës me sapun ose detergjent për disa minuta. I kafshuari duhet të dërgohet menjëherë në spital për shkak të vaksinimit.

Pas secilit kafshim ose kontakt me ndonjë kafshë për të cilën dyshohet se mund të ketë tërbimit, është e domosdoshme të kërkohet ndihma e mjekut sa më shpejt që është e mundur.

Fitim Dika/ Almakos

qente3 qente4

Posto një koment »