Dibra nga dita në ditë është më shumë e boshatisur, kërkohet azil për pleqtë

dibraime2 January 12, 2016 0
Dibra nga dita në ditë është më shumë e boshatisur, kërkohet azil për pleqtë

Numri i të rinjve në Dibër në kontinuitet po ulet dhe qyteti plaket. Për fat të keq, të rinjtë vazhduan të udhëtojnë në një drejtim edhe gjatë vitit 2015

Komuna e Dibrës tre dekadat e fundit është e përfshirë nga një migrim masiv me pasoja të mëdha për demografinë. Migrimi masiv i popullatës në Dibër dhe fshatra ka shkaktuar një rritje të numrit të pleqve të vetmuar, por edhe ka ngritur nevojën për ndërtimin e një azili. Numri i të rinjve në Dibër në kontinuitet po ulet dhe qyteti plaket. Për fat të keq, të rinjtë vazhduan të udhëtojnë në një drejtim edhe gjatë vitit 2015. Të dhënat familjare flasin se gjatë vitit që lamë pas disa dhjetëra të rinj lanë Dibrën dhe në mënyra legale apo ilegale ju bashkëngjitën migracionit dibran në SHBA. Disa nga këta të rinj, me diploma universitare të cilët në mënyra ilegale udhëtuan për në Amerikë, paguan edhe vlera të mëdha devizore për të hyrë në tokën e premtuar. Por, të rinjtë udhëtuan vitin e kaluar në një drejtim shteteve të Unionit Evropian. Edhe atje shkuan shumë dhe mbeten. Familjarët e tyre thonë se problem kryesor është papunësia. Dibra nga dita në ditë është më shumë e boshatisur. Të moshuarit thonë se janë momente të rënda për Dibrën. Gjysma e të rinjve që migrojnë janë të rinj që kanë përfunduar studimet, të cilët shkojnë dhe nuk vijnë. Institucionet lokale, por edhe shoqatat qytetare shumë herë kanë ngritur këtë shqetësim, por askush nuk mund ta ndalë këtë dukuri e cila drejtpërdrejt ndikon në mesataren e popullatës dibrane, e cila është në plakje.

Mbi 200 pleq jetojnë të vetmuar. Disa nga ata kanë përkrahjen e farefisit me të afërm, por një pjesë tjetër nuk kanë askënd. Nazmiu 84 vjeçar jeton i vetmuar më se 10 vite. Ai fëmijët i ka në SHBA, në Nju Jork. Por, atje ka edhe farefisin e ngushtë dhe thotë se rrugëdalje e tij është vendosja në një azil, por vetëm në Dibër. Por, Nazmiu është vetëm një nga pleqtë e shumtë që jetojnë në Dibër dhe fshatrat e saj.

Në Shoqatën të pensionistëve thonë se azili është nevojë e kohës. Tani më nuk është tabu të flasësh për hapjen e azilit për pleq në Dibër. Pleqtë e vetmuar ballafaqohen me probleme të shumta rreth furnizimit me medikamente, artikuj ushqimorë, nxehje etj. Kryetari i Shoqatës së pensionistëve të Dibrës, Xhavit Karpuzi, thekson se për këtë problem ka debatuar edhe shoqata, por zgjidhja qëndron te azili i pleqve. Një problem që është prezent rreth themelimit të azilit është edhe vendndodhja e tij. Në shoqatën e pensionistëve thonë se ka iniciativa nga pushteti qendror që një azil të ndërtohet për rajonin më të gjerë, por në Strugë. Nga ana tjetër, nga Komuna Dibër disa herë kanë informuar se pleqtë dibranë duan azil në Dibër dhe se ka biznesmenë të interesuar në SHBA, të cilët kanë ide për të ndërtuar një azil të pleqve. Pa marrë parasysh se ku do të jetë azili i pleqve, mosha e tretë kërkon një zgjidhje, veçmas ata të cilët jetojnë të vetmuar. Aktualisht në Shtëpinë e pensionistëve në Dibër disa dhoma u janë ndarë pleqve të pastrehë, por kjo është një qëndrim humanist, me që bëhet fjalë për raste ekstreme me probleme sociale dhe me qëllim që të mos mbetën në rrugë disa pleq janë strehuar me iniciativë të ish udhëheqjes së kësaj organizate. Ata janë të shumtë, thotë Isni Telqiu, i organizatës të Kryqit të Kuq, i cili ka marrë pjesë në evidentimin e pleqve të vetmuar. “Ne i ndihmojmë ata, por ndihma duhet të jetë e vazhdueshme. Aktivitetet tona i ndihmojnë, por nuk mund t’u zgjedhin problemin”, shton Telqiu. Traditat e familjeve dibrane kurrë nuk kanë lejuar pleqtë të mbeten dhe të jetojnë të vetëm. Por, si duket mërgimi që është plagë e madhe e dibranëve, bëri që disa nga traditat dibrane të mbeten vetëm një karakteristike e së kaluarës. /Vjollca SADIKU/Dibraime.com

Posto një koment »