Dibra dhe qyteti kufitar shqiptar Peshkopia do ta zgjerojnë bashkëpunimin edhe në realizimin e përbashkët të projekteve ndërkufitare, në interes të banorëve nga të dyja anët e kufirit. Kjo është dakorduar gjatë vizitës së delegacionit të komunës së Dibrës, të kryesuar nga kryetari Ruzhdi Lata në qytetin kufitar shqiptar.
Siç informojnë nga Kabineti i Latës, në takimin me nikoqirin e tij, kryetarin e Peshkopisë Muharem Rama, fillimisht i është uruar fitorja në zgjedhjet e pjesërishme lokale, pas çfarë kryetarët e komunave e kanë vlerësuar si të suksesshëm edhe bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy komunave.
“Të dy bashkëbiseduesit shprehën qëndrim të përbashkët se bashkëpunimi duhet të zgjerohet në të gjitha fushat e jetës, sepse ekzistojnë mundësi për atë, ndërsa ishte dakorduar që së bashku të aplikohet për projekte ndërkufitare, të mbështetura nga programet IPA të Bashkimit Evropian”, kumtoi komuna e Dibrës.
Komuna thekson se në takim është biseduar për shumë çështje si dhe për nevojën e intesifikimit të bashkëpunimit ndërmjet administratës vendore, institucioneve të kultuës, shoqërisë civile, biznesit dhe është theksuar se kufiri nuk duhet të jetë pengesë dhe autoritetet vendase të kontribuojnë që vendet fqinje të integrohen në BE./DibraIme