Një automjet ka përfunduar në ujërat e lumit Radika, pasi paraprakisht ka dalë nga rruga në vendin ” Livadhet e Senecit” në rrugën Hanet e Mavrovës – Dibër, ndërsa tjetri është rrotulluar dhe ka rënë në kulm, me ç’rast katër persona kanë pësuar lëndime të lehta.
Sipas informatave të policisë, në mëngjes rreth orës 7, ekipet e NP Rrugët e Maqedonisë të cilat kanë punuar në pastrimin e borës në rrugën rajonale Mavrovë-Dibër, kanë vërejtur një “Opel Corsa” në shtratin e lumit, por nuk ka pasur shofer as bashkëudhëtarë, as në afërsi as brenda në automjet. Pasi është kryer kontrolli, është konfirmuar se automjeti ka targa të Shkupit, por nuk dihet se kush e ka vozitur dhe si ka arritur në Radikë.
Në rrugën e njëjtë, rreth orës 11:00, në afërsi të urës së Vërbjanit, një “Wolksvagen Golf” me targa të Kosovës në të cilin pranë shoferit ka pasur edhe tre udhëtarë ka dalur nga rruga, me ç’rast është rrotulluar dhe ka rënë në kulm. Shpejt pas fatkeqësisë, katër shtetasit kosovarë janë dërguar në spitalin e përgjithshëm të Gostivarit. Dëmi material vlerësohet rreth 300.000 denarë.