Mbase, kështu e kupton bojkotin e Ivanovit në këtë rast BDI-ja, postet merri, por mos e njih atë që të jep postin?!
BDI-ja gojën plotë një fushatë të tërë për zgjedhjet presidenciale, e kaloi duke thënë nëpër tubime partiake, sidomos edhe lideri i kësaj partie Ali Ahmeti, se për ta është i pranueshëm vetëm një president konsensual, por assesi as Gjorgje Ivanovi, e as ndonjë tjetër që s’do kishte pëlqimin e BDI-së. Realisht, me këtë fushatë, por edhe me sms-të (disa herë thyen edhe heshtjen paragjedhore) që ua dërgoi partiakëve të saj, BDI e arrit qëllimin.
Mirëpo, dalë ngadalë duket se BDI filloi ta ndryshojë mendimin dhe qëndrimin lidhur me Gjorgje Ivanovin. Dhe këtë e bëri kjo parti fillimisht nëpërmjet deputetit të saj Artan Grubit, i cili për medie tha, – “Institucionet e shtetit nuk mund të mbahen peng nga një president i zgjedhur në mënyrë jo-legjitime, që nuk ka marrë legjitimitetin e votës së komunitetit të dytë shumicë në Maqedoni, pra të shqiptarëve. BDI-ja nuk ka vendosur nëse do të emërojë përfaqësues të vetë në këto institucione, të cilat janë në varësi nga kryetari i shtetit, por konsiderojmë që legjitimiteti i takon BDI-së për t’i emëruar ato individë në këto pozita. Gjorgje Ivanov edhe më tej mbetet jo legjitim për ne, por kjo nuk do të thotë se nuk e pranojmë institucionin President. Institucioni i kreut të shtetit ka ekzistuar dhe do të ekzistojë edhe pas Ivanovit. Presim që BDI-ja t’i mbajë pozitat në Këshillin e Sigurisë, por edhe në të gjitha trupat e tjerë nën kompetencë të presidentit”.
Që të ndryshoj tërësisht koncepti i BDI-së rreth Presidencës u desh të del sot në promovimin e oficerëve të ri në Armatën e Maqedonisë, edhe Arben Llabënishta zv/Ministër i Mbrojtjes nga parta e Ahmetit krah për krah me Gjorge Ivanovin, raporton portali Almakos. Mbase, kështu e kupton bojkotin në këtë rast BDI, postet merri, por mos e njih atë që të jep postin?!
Ndërkohë, në kohë fushate kur ashpër kundërshtohej Gjorgje Ivanovi nga BDI-ja e Ali Ahmetit me moton “JO presidentit të njëanshëm”, Ivanovi nuk mundi të qëndrojë indiferent. Me çka Ivanov para 4 muajsh në një intervistë për “Republika”, deklaroi se edhe përkundër qëndrimit të udhëheqjes së BDI-së, për kontestimin e punës pesë vjeçare si president, Ali Ahmeti e ka uruar atë për për lidership, pas bashkëpunimit rajonal me kryetarin e Shqipërisë dhe Malit të Zi si dhe angazhimin e tyre për t’i ndihmuar Kosovës të përfshihet në këto iniciativa rajonale.
Ivanov ndau një pjesë nga ky urim që i kishte bërë Ali Ahmeti pas këtij bashkëpunimi: “Duke ju uruar për kapacitete udhëheqëse që i vërtetuat me këto porosi dërguar nga Prizreni, ju garantoj se mirësitë, përfitimet nga këto takime, gjithnjë e më shumë tregojnë se ju jeni burra shtetesh të vërtetë, vizionarë që me shembuj konkretë trasoni rrugën e bashkëpunimit të pakthyeshëm të bashkëpunimit dhe perspektivës evropiane”, tha Ivanov.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme Nevzat Bejta nënkryetari i BDI-së tha se kryetarët e komunave, deputetët dhe ministrat e BDI-së, respektivisht të gjithë funksionarët që janë në çfarëdo funksioni në institucionet në nivel lokal dhe qendror do të bojkotojnë çfarëdo bashkëpunimi me kryetarin e shtetit Gjorgje Ivanov.
“Ka vendim për bojkot të presidentit të shtetit dhe ai është në fuqi pa marrë parasysh nëse ndonjë kryetar komune, deputet ose ministër mendon ndryshe ose vepron ndryshe. Kjo do të thotë se institucionet, të cilat janë nën kompetenca të vetëqeverisjes lokale, por edhe në nivel qendror dhe me të cilat udhëheqin funksionarë të BDI-së, do të refuzojnë bashkëpunim me Ivanovin. Ai mund të vjen në cilën do komunë ose institucion, ky është vend i lirë, por duhet ta dijë se nuk është i mirëseardhur dhe nuk do të ketë kush ta pret. Nuk mund të jemi dyfytyrësh dhe të bashkëpunojmë me Ivanovin, legjitimitetin e të cilit nuk e pranojmë”, deklaroi Bejta, cituan mediet vendase./Almakos