Me një shkrim drejtuar redaksisë së Portalit DibraIme.com koalicioni “Aleanca për Shqiptarët – dega Dibër” reagon ndaj partisë në pushtet për presionin që u bëhet të punësuarve në administratën shtetërore dhe për tentimet e blerjes së votës.
Më poshtë ju paraqesim reagimin e plotë që ka ardhur nga koalicioni “Aleanca për Shqiptarët – dega Dibër” ekskluzivisht për Portalin DibraIme.com
“Në Dibër dita-ditës shtohet numri i kërcënimeve nga anëtarë të partive tjera, kryesisht partive në pushtet. Kërcënimet më së shumti i prekin administratorët dhe qytetarët. Një situatë e papëlqyer e ka kapluar Dibrën.
Jetojmë në kohra demokratike a shihet qartë që ajo e drejtë demokratike mbetet vetëm në letra, sepse prej momentit që dinjiteti i mësuesve rrëzohet në tokë, për t’u rreshtuar drejt e në tubim është një ogur i zi për dibranët, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo janë.
Kërcënuesit vazhdojnë me mesazhe nëpër celularë, duke i detyruar që të jenë të pranishëm nëpër tubimet partiake. I kërcënojnë njerëzit, se do t’i pushojnë nga puna, nëse s’dalin në tubim. I keqpërdorin inspektorët, për mbledhje votash. Vota shitet, shitja e votës një thes miell. Shtrohet pyetja se a me një qese mielli do të jetojnë dibranët për një mandat qeverisës, pra një llogaritje fare e thjeshtë, ku as më pak e as më shumë në pjatën tuaj duhet të vendosni a të hani 17 gramë miell në ditë, vallë ç’do të bëjnë anëtarët e tjerë të familjes?!
Qytetarë të nderuar është një fyerje e madhe e dhe kjo, kur postieri partiak të bije një zarf me dhuratë brenda. Në këtë dhuaratë mund të ketë diku shumë e diku pak, pavarësisht se çfarë çmimi iu kanë caktuar liderët partiakë. Egërsia e tyre s’ka fund, ngaqë mendojnë për atë se si të keqpërdorin rininë. A këto kërcënime do të jenë ardhmëri e një qyteti me histori shumëvjeçare, siç është Dibra dhe dibranët?
Të gjitha fjalët e sipërpërmendura janë për ngecje të zhvillimeve e të demokracisë. Lejoni, që dibranët të frymojnë lirshëm!” përfundon reagimi i koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”. /DibraIme.com