Ndërtesën e re të shkollës së mesme në Dibër do ta ndërtojë Agjencia turke për bashkëpunim ndërkombëtar dhe koordinim “TIKA”. Këtë në konferencën e sotme për shtyp e kumtoi kryetari i komunës së Dibrës Ruzhdi Lata, duke shtuar se marrëveshjen për këtë e ka nënshkruar dje me Telman Tilkija, drejtor i “TIKA” s në Maqedoni.
“Shprehim falënderim të madh ndaj TIKA-s për gatishmërinë që ka shprehur për të ndihmuar në ndërtimin e një objekti të ri, investim me vlerë prej 1.400.000 eurove. Besoj se dinamika e ndërtimit do të shkojë sipas marrëveshjes dhe puna duhet të përfundojë brenda një viti. Objekti do të disponojë me një sipërfaqe të përdorshme prej 5.200 metra katrorëve dhe do të krijohen kushte për zhvillimin e procesit normal arsimoroedukues”, deklaroi Lata.
Në gjimnazin e Dibrës “28 Nëntori” mësimi mbahet në gjuhën shqipe dhe maqedonase në dy turne në ndërtesën e montuar të ndërtuar në vitin 1969. Në objektin e ri mësimi do të zhvillohet në një turn. Kryerësi kryesor i punëve është ndërmarrja “Star M inxhinjering” nga Qendra Zhupë, pronar i të cilit është Mazlam Hasan, në takimin me gazetarët premtoi se marrëveshja për ndërtimin e objektit do të respektohet. Themelet e ndërtesës ishin vendosur para tre viteve.