A mund të jetë simboli fetar kërcënues i harmonisë fetare në Maqedoni?

dibraime2 May 4, 2014 1

xhemail cupiNga: Mr. Xhemail Çupi

Njëri ndër parimet kryesore të harmonisë ndërfetare është edhe respektimi I ndërsjelltë I simboleve fetare, me theks të veçantë I atyre simboleve që janë të dukshme për antarët e secilit grup, siç janë minaret dhe kryqat.

Në Islam, minareja si objekt nuk është pjesë thelbësore doktrinore por është tipar dallues arkitekturor i xhamisë që siguron pikë kontakti vizual, I cili ngritet vertikalisht dhe I cili ngjitet afër objektit bazë të xhamisë me qëllim që zëri I thirësit të përfshin hapësirën maksimale dhe të mbulon pjesën dërmuese të besimtarëve musliman që dëshirojnë ti përgjigjen asaj thirjeje. Minaret gjithashtu “japin një identifikim dallues të prezencës së muslimanëve në vend dhe tregojnë nga larg praninë e një xhamie.” (Martin, 2004, p. 428)

Fjala “minare” rrjedh nga fjala arabe manar që është sinonim I fjalës miʾdhan dhe që ka domethënien “vend nga i cila bëhet thirrja për namaz”. Ky veprim daton prej në kohën e profetit Muhamed a.s., por për dallim nga sot që ezani thiret në objekte të posaçme të larta, atëherë thirrja për lutje bëhej nga maja e kulmit të shtëpisë së tij.” (Alami, 2011, p. 107). Sipas mendimit të shkollës juridike hanefite ezani preferohet të thiret në vend sa më të ngritur. Transmetohet prej Ibn Omerit r.a. se “kur muslimanët kanë ardhur në Medine, janë tubuar dhe kanë pritur për namaz, edhe pse askush nuk I kishte thirur. Një ditë kanë biseduar për këtë. Disa kanë propozuar: bjerni një këmbanë siç është te krishterët, disa të tjerë kanë thënë: merni një trumbetë sikur te hebrejtë. Omer b. Hatabi tha: Pse të mos e dërgojmë ndonjë njeri I cili rregullisht do të ftonte për në namaz? Pastaj, Pejgamberi a.s. tha: Bilal, ngrihu (në një vend të lartë) dhe thire ezanin për namaz!” (Sahihul Buhari, p. 213) (Tirmidhiut, 2007, p. 318).

Me zgjerimin e shtetit Islam në gadishullin arabik, xhamive vazhdonin tu mungonin minaret, kurse thirrja për namaz bëhej në një pikë të lartë të kultit bazë diku tjetër. (Johnson, 1979, p. 173) Megjithatë, sipas autorit Alemi, adoptimi i minareve të para duket aksidental. Sipas tij “me zgjerimin e Islamit në Damask, Uelidi i Parë shfytëzoi tërë murin e qytetit romak Temenos, saqë arkitektët ripërdorën dhe integruan muret dhe kullat ekzistuese romake në ndërtesën e re (Alami, 2011, p. 107).

Kemi raste gjatë historisë Islame që kullat të kthehen në minare, siç tregon autori Kuiper rastin kur “në Damask kullat e lashta të ndërtesave romake u përdorën për herë të parë si minare për të thirrur besimtarët në namaz dhe për tu treguar nga larg prania e Islamit” (Kuiper, 2010, p. 141). Në botën Islame ka forma të ndryshme të minareve. “Forma e tyre ka ndryshuar varësisht nga vendit në vend” (Petersen, 1996, p. 188), por e përbashkëta e të gjitha formave të minareve është se ato kanë strukturë vertikale të ngjitur për objektin bazë, lartësia e të cilave është bërë me pretekst që zëri I thirësit të përhapet sa më shumë që të jetë e mundur. Sot, minareja e Xhamisë së Madhe të Kairouan në Tunizi është minarja më i vjetër në botë që I ka shpëtuar shkatërrimit, e ndërtuar në vitin 670 sipas kalendaritIslamik (Burckhardt, 2009, p. 128).

Në anën tjetër, në krishterim, kryqi në vetvete është pjesë thelbësore e doktrinës kristiane. Ai gjithashtu ka rol identifikues për ithtarët e besimit kristian, kurse kur I bashkangjitet këmbanës apo zonës së altarit ka rol informues dhe thirës për besimtarët kristian për festa dhe tubime fetare. Kryqat e ngjitura në muret e kullave dhe në majat më të larta të kambanave janë ndërtuar me qëllim që të orientojnë syrin e shikuesit drejt qiellit. Kambanoret dhe kullat janë shumë të zakonshme në kishat e krishtera dhe në katedrale, ato janë një element i përbashkët i arkitekturës kishtare dhe ato përgjithësisht janë të ndërtuara në afërsi të kishave. Sipas autorit Sarëkçëogllu kullat me kryq ndërtohen me qëllim që të tregojnë vendin e kishës (Sarëkçëogllu, 2010, p. 516).

Nëse në njërën anë Maqedonia është shtet laik dhe pa fe zyrtare, në anën tjetër kushtetuta e saj garanton lirinë e adhurimit haptazi dhe ndalon diskriminimin në baza të përkatësisë fetare. Përveç kësaj, një ligj i vitit 1997 kërkon që të ketë vetëm një organizatë fetare për secilin grup konfesional dhe ato janë Kisha Ortodokse Maqedone.dhe Bashkësia fetare Islame, që meren me organizimin dhe mbarvajtjen e jetës fetare (Riggs, 2006, p. 5) dhe ruajnë harmoninë dhe bashkëjetesën fetare të komuniteteve të tyre.

Kjo harmoni disa herë është luhatur, një nga arsyet e fundit të kësaj luhatjeje janë edhe simbolet fetare. Në vitet e fundit qytetarët e Maqedonisë, sidoemos ato musliman dhe krishterë, janë bërë jo vetëm dëshmitar të një ngjarje të rrallë, por domosdoshmërisht edhe protagonist të një gare të pafund të asaj se kush do ndërton më shumë simbole fetare, cili do ti ndërton më të larta dhe në vende më strategjike. Sot, gati në pjesët më të pazakonta të shtetit mund të shohësh ndërtime të objekteve të kultit, shpesh herë të vendosura me tendencë politike apo strategjike siç janë ndërtimet e kryqave në shumë vende që historikisht nuk ka patur besimtar të asaj feje, kurse në anën tjetër është shtuar gjithashtu edhe numri I minareve të dyfishuara (çift) që mund të konsiderohet një risi në hapësirat tona. Kjo garë kulminacionin e ariti me ndërtimin e kryqeve gjigande në vende malore që mund të shihen edhe prej distancave më të largëta. Ndërtimi I kryqeve dhe simboleve të mëvetësishme pa prezencë të kultit bazë nuk ka qenë traditë e besimtarëve krishterë deri në vitet e fundit. Rasti I parë është ndëtimi I “kryqit të mileniumit, 66 metra i lartë i vendosur në krye të malit Vodno në qytetin e Shkupit.” (wikipedia, 2014).

Sot, në ndërtim e sipër është edhe kryqi i dytë gjigand 56 metrash në lagjen Aerodrom të Shkupit, i cili mund të shihet pothuajse në të gjithë territorin e Shkupit. “Ky simbol krishter rrezikon për të satën herë harmoninë ndërfetare në vend dhe mund të nxisë tensione etnike dhe fetare në publik jo vetëm prej shqiptarëve musliman që ndjehen të provokuar nga ky akt vandal i përsëritur tashmë kohë pas kohe, por edhe prej shumë etniteteve tjera që e konsiderojnë këtë akt si veprim të tepruar dhe me kosto të lartë.” (Koha.mk, 2013) Projekti u jetësua kur Këshilli Komunal I lagjes Aerodrom dha vendim për miratimin e iniciativën së Kongresit Botëror Maqedonas për ndërtimin e Kryqit gjigand. Vendim ky, që vjen vetëm një vit pasi Komuna Aerodrom nuk dha leje për ndërtimin e një xhamie në fshatin Lisiçe në Aerodrom, ku jetojnë banorë të përkatësisë fetare Islame. Por pavarsisht se problemi është shumë serioz saqë mund të prishë edhe më shumë harmoninë dhe bashkëjetesën përsëri mund të themi se politika dhe politikanët qëndruan të shurdhër dhe nuk kanë reaguar aspak edhe sot e kësaj dite.

Vlersimi im për këtë politikë publike të Këshillit Komunal të komunës Aerodrom është se:

Ky është një vendim I pa bazë dhe provokativ saqë mund të prish ekuilibrin dhe harmonin ndërfetare, pasi ky kryq do jetë aq gjigand saqë nuk do shihet vetëm në këtë lagje maqedone ortodokse por do shihet në tërë qytetin që gjysma e tij është muslimane;

Një kosto e tepërt në xhepat e taksapaguesve pasi janë pikërisht qytetarët ato që do paguajnë për mirmbajtjen dhe rrymën e këtij objekt;

Nxit urrejtje fetare, sidoemos pas mohimit të kërkesës së fshatarëve të fshatit Lisiçe për ndërtimin e xhamisë.

Si rrjedhojë propozimi im është që të mos vazhdohet ndërtimi i këtij objekti të kultit fetar dhe të asnjë të ngjajshëm si kjo derisa të krijohet “një marveshjeje mes institucioneve fetare simotra (BFI-KOM) në Republikën e Maqedonisë që bashkërisht të vendosin rregullore ose strandarte dhe në to të parashihen parametrat e autorit Kruja që janë:

“E para, madhësia dhe lartësia e simbolit fetar duhet të jetë në korrelacion standart me madhësinë e kultit bazë;

E dyta: simbolet fetare duhet detyrimisht tu bashkangjiten kulteve fetare dhe jo të jenë të mëvetësishme”, (Kruja, 2008, p. 213)

Si konkludim mund të themi se çdo lloj simboli fetar që është i dukshëm për gjithë qytetarët pa prezencë të kulteve bazë kërcënon identitetin fetar të qytetareve që nuk e kanë atë simbol të tyre, prandaj nëse vendosja e kryqave të mëvetësishëm nëpër qytete dhe male kërcënon identitetin dhe garancinë e dallueshmerisë të muslimanëve që jetojnë aty atëherë ato kryqa duhen të hiqet. Deri sot nuk ka ndodhur që të shohim ndonjë minare të mëvetësishme larg objektit bazë sepse kjo është devijim prej qëllimit të minares (që është thirja për tu falur në xhami), por mos marrja parasysh e fakteve të lartëshënuara do shërbejë si precedent që devijime provokative të paraqiten edhe në praktikat e muslimanëve, me çka supozojmë që si pasojë e ndërtimit të kryqit në malin Vodno nesër mund të shohim minaren e ndërtuar në malin Korab që është pika më e lartë në Maqedoni. Por ndërtimi i kësaj minare gjigande jo vetëm që nuk do ta zgjidhte problemin, por edhe më shumë do ti tensiononte raportet mes komuniteteve fetare, situatë kjo që nuk do ti konventonte asnjërës pak .

One Comment »

  1. fatoni November 19, 2014 at 10:36 am - Reply

    o Xhemal Cupi, je bir i Isa Cupi, dhe dikush para dibraneve ne diber te levderoi babane-”te mos ishte Isa Cupi shum dibrane s’do te ngrinjin shtepiat e tyne te reja”, ai i beri me shtepi e kurr e asnjeher askush prej tyne ja diti te miren.RAHMETPASTE,,,,,,duhet te njihen njerez qe jane dibrane te nderit dhe vazhdoni me listen………

Leave A Response »

Click here to cancel reply.