KF Korabi drejt ligës së dytë vetem me forcën dhe djersën e lojtareve

dibraime2 April 22, 2017 0
KF Korabi drejt ligës së dytë vetem me forcën dhe djersën e lojtareve

Klubi futbollistik Korabi është ikona sportive e qytetit të Dibrës. Grupimi më i madh, më popullor  dhe më serioz i qytetit daton nga viti i largët 1921, duke e bërë në këtë mënyrë Korabin një ndër ekipet më të vjetra mbarë shqiptare dhe një ndër ekipet më të vjetra që garojnë aktualisht në ligat e ftubollit në Maqedoni.

Ky klub ka pasur kohët e arta dhe të shkëlqimit dhe kohët kur suksesi ka qene i vështirë. Ka qenë çdo herë pasqyra që tregonte më mirë gjendjen, aspiratat dhe dëshirat kolektive të qytetit.

Por momentalisht klubi është në një gjendje të rëndë, pa financa, pa mbështetje të askujt, pa tifoz, pa publik, madje edhe pa tranjer që ti stërvit lojtarët. Edhe pse në këtë realitet djemtë e ekipit me sakrificën e tyre, me vetmohimin, me punën dhe iniciativën individuale, kanë bërë diçka të jashtëzakonshme. Kanë fituar brenda edhe jashtë qytetit, duke e shtruar rrugën drejt suksesit dhe Ligës së dytë të Maqedonisë, shkruan DibraIme.com

Veçse disa besnikë ka pasur Korabi në publik këto vitë, ndjekës të rregullt që nuk janë më shumë se një tavolinë në kafen e së dielës. Tifozeria e organizuar jo vetëm që ka munguar, por edhe individë që në kohët e suksesit me prepotencën e tyre ndiheshin më të rëndësishëm se ekipi, as në rrugën përball stadionit nuk kanë kaluar.

Stadioni i qytetit nga vitet e ndërtimit para rreth 50 vitesh nuk ka asnjë investim serioz, zhveshtoret janë modeste, ndërsa tereni ju shkakton shpesh problem gjatë lojës. Por duke pasur parasysh që lojtarët nuk kanë as kushtet elementare, pretendime për investime në stadion tingellojnë luks i tepruar.

Përgjatë gjithë sezonit 2016-2017, por edhe në vitet paraprake lojtarët janë ankuar vazhdimisht për kushtet e vështira dhe për sakrificën e tyre. Kanë afër pesë vite pa motivim financiar, rroga të rregullta skanë pasur asnjëherë dhe çdo ditë stërviten duke lënë për disa orë punën, madje edhe atletet sportive i blejnë apo sigurojnë vetë. Pajisjet e posaçme për trening mungojnë, dhe treningu improvizohet, uniformat janë që nga viti 1995 dhe lojtarët e sotëm ushtrohen me të njëjtat mjete si lojtarët e para 22 vjetëve.

Lojtarët e Korabit gjithsesi janë me shpresë se pas suksesit të tyre ndihma e çfardollojshme dhe nga burime të ndryshme do vij. Ata besojnë se do munden edhe pse kanë kaluar një sezon të vështirë, të hyjnë në ligën e dytë. Por kanë një shqetësim mos gabimet e së kaluarës do të përsëriten dhe më meritorët do lihen anash.

Kanë frikë që pas suksesit përfituesit e zakonshëm të këtyre rasteve do afrohen dhe duke përdorur lidhje dhe pushtet do ta rikthejne gjendjen e vitit 2011, ku pas sakrificës së lojtarëve, ata u keqpërdorën, financat u shpërdoruan ne pagesa lojtarësh nga jasht, më shumë se sa kishte nevoj ekipi dhe shpenzime të tjera të palogjikshme, dhe në fund të sezonit pas rënies nga liga e dytë e lanë ekipin përsëri në mëshirë të fatit dhe djersës së lojtarëve të sinqertë.

Historia thonë se përsëritet njëherë si tragjedi dhe pastaj si komedi. Prandaj lojtarët e sotëm duan që mos bëhen gabimet e së shkuarës, kryesia që momentalisht nuk egziston dhe mbahet vetëm nga dy njerëz,  mos fryhet me njerëz jo meritor si në 2011, që nuk angazhohen dhe marrin vendime të gabuara, duke keqpërdoruar financat që vijnë nga të gjithë anët dhe duke keqpërdorur djersën dhe sakrificën disa vjeçare të atyre që janë më meritorët, lojtarët e palodhur të ekipit./DibraIme.com

Posto një koment »